“Protestat, pellg gjithnjë e më i vogël”, Binaj: Njerëzit kanë frikë të flasin!

Aktivisti Florjan Binaj, ka ngritur shqetësime mbi rënien e aktivizmit dhe mungesën e protestave në Shqipëri.

I ftuar në emisionin “Oponencë” në News24, Binaj u shpreh me nostalgji për protestat e mëparshme, duke theksuar se ato dikur ishin hapësira ku shkëmbeheshin ide dhe ndërtoheshin forma konkrete veprimi.

Sipas tij, sot protestat po tkurren dhe po humbasin rolin e tyre.

“Kam nostalgji për çdo protestë. Më vjen keq që ato po marrin formën e një pellgu gjithnjë e më të vogël dhe nuk janë më oazi ku lindnin idetë dhe veprimet”, u shpreh ai.

Ai kritikoi gjithashtu mënyrën se si reagimi qytetar është zhvendosur në rrjetet sociale, ku shpesh dominojnë debatet virtuale, meme-t dhe përplasjet online, ndërsa pjesëmarrja reale në protesta ka rënë.

Sipas Binajt, shtimi i profileve anonime në rrjetet sociale tregon një klimë frike, ku qytetarët shmangin shprehjen e hapur të mendimit për shkak të pasojave të mundshme.

“Njerëzit kanë frikë të flasin, madje edhe të shprehen me emrin e tyre”, tha ai.

Aktivisti theksoi se kur mungon liria për të shprehur mendimin dhe bie rëndësia e vlerave, shoqëria përballet me kaos dhe pasiguri.

Ai solli në vëmendje disa nga protestat që i konsideron më të suksesshme në vend, si ato të studentëve, kundër armëve kimike dhe protestat e vitit 2022 për rritjen e çmimeve, duke shtuar se sot vendi po përballet sërish me të njëjtat problematika.

Në fund, Binaj kritikoi qeverinë, duke e akuzuar për distancim nga qytetarët dhe mungesë interesi për vështirësitë e tyre ekonomike, ndërsa sipas tij, presioni ndaj qytetarëve lidhet kryesisht me interesat elektorale.