“Paratë e pista po ndërtojnë Shqipërinë vertikale” - Gazetari: Ja si po “mbyten” qytetet me kulla

Fenomeni i ndërtimeve të larta, i pagëzuar si "Tirana Vertikale", po transformon me shpejtësi horizontin e kryeqytetit dhe po shtrihet në qytetet kryesore të vendit.

Ndërsa kullat ngrihen njëra pas tjetrës, bashkë me to shtohen edhe dyshimet se sektori i ndërtimit është kthyer në një lavatriçe gjigante për pastrimin e parave të pista.

Ky bum ndërtimesh, veçanërisht i përqendruar në zonat më të lakmuara, shihet si një simptomë e mungesës së filtrave efektivë për të kontrolluar burimin e fondeve.

I ftuar në emisionin “Ora e Betit” në “Ora News”, gazetari Erblin Vukaj u shpreh se qeveria ka krijuar një mjedis favorizues për këto investime të dyshimta.

Sipas tij, filtri i parë kundër pastrimit të parave duhet të vinte pikërisht nga zyra e Kryeministrit, përmes mënyrës së dhënies së lejeve dhe kushteve të vendosura.

Një qasje e ngjashme, tha ai, me mungesë kontrolli vërehet edhe në Korporatën e Investimeve, ku konkurset shpesh fitohen nga të njëjtat kompani, të cilat në një treg normal do ta kishin të vështirë të zgjeroheshin me projekte kullash kaq masive.

Roli i bankave në këtë skemë është gjithashtu nën vëzhgim. Të paktën gjashtë projekte në Tiranë me një vlerë rreth 500 milionë euro pretendohet se mbështeten nga kredi bankare.

Megjithatë, Vukaj hodhi dyshime se bankat po luajnë një rol të heshtur, jo vetëm duke lehtësuar fluksin e parave për këto projekte, por edhe duke mos bllokuar daljet e fondeve të dyshimta.

Fenomeni nuk është më i kufizuar vetëm në Tiranë. Kulla të reja po nisin ndërtimin në Shkodër e Vlorë, ndërsa Durrësi përshkruhet si një qytet që "po masakrohet" nga ndërtimet.

Këto projekte, theksoi gazetari, ekspozohen dhe promovohen hapur, madje edhe nga vetë Kryeministri, siç ndodhi në festivalin e arkitekturës "Bukë e zemër", ku u shfaqën maketet e kullave përpara se të merrnin lejet zyrtare të ndërtimit. Kjo tregon një shumëfishim të projekteve që qeveria nuk përpiqet më as t'i fshehë.

Ndërsa pritet me kuriozitet se cilat do të jenë maketet e reja në festivalin e radhës, pyetja themelore mbetet pa përgjigje: Kush ka fuqinë blerëse për të përballuar apartamentet me çmime marramendëse në këto kulla? Kjo enigmë vetëm sa forcon dyshimet se blerësit e vërtetë nuk janë qytetarë të zakonshëm, por individë apo grupe që kërkojnë të "pastrojnë" pasuritë e tyre të paligjshme në beton.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ORA E BETIT” NË “ORA NEWS”