Kikia: S’ka nevojë të ndjekësh paranë, mjafton të shikosh kullat dhe ke arritur tek mafia
Ndërsa vëmendja publike është përqendruar te veprimet e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), gazetari Mentor Kikia i ftuar në studion e emisionit “Ora e Betit” në “Ora Neës” thotë se përgjegjësia për fenomenin e ndërtimeve masive dhe pastrimit të parave shtrihet shumë më gjerë, duke implikuar drejtpërdrejt institucionet qeveritare.
Kikia theksoi se shoqëria ka deformuar konceptin e llogaridhënies duke e parë SPAK-un si zgjidhjen e vetme dhe burgun si ndëshkimin final.
Ky këndvështrim lë në harresë rolin thelbësor parandalues që duhet të kishin institucionet e tjera shtetërore. Prokuroria, përfshirë SPAK-un, merret me autorin e krimit pasi fakti ka ndodhur, por nuk mund të parandalojë dëmin fillestar.
Përgjegjësia kryesore i atribuohet ekzekutivit. Nisur nga kjo, Kikia tha se Qeveria dhe institucionet publike zotërojnë të gjitha mekanizmat e nevojshëm për të kontrolluar, monitoruar, frenuar dhe parandaluar jo vetëm pastrimin e parave, por edhe vepra të tjera korruptive. Çdo institucion, tha ai, ka drejtori të brendshme auditimi, të cilat, nëse do të funksiononin siç duhet, do të kishin identifikuar dhe ndalur marrëveshje koncesionare të dëmshme përpara se ato të shkaktonin dëm financiar.
Si shembull i një praktike të suksesshme përmendet rasti i fondeve IPARD të Bashkimit Evropian. Në momentin që BE konstatoi se paratë nuk po shkonin për qëllimin e tyre, por po keqpërdoroheshin për ndërtime luksoze, ajo ndërpreu menjëherë financimin, duke shpëtuar fondet e mbetura dhe duke kërkuar kthimin e atyre të shpërdoruara. Kjo qasje proaktive është në kontrast të plotë me modelin shqiptar, ku pritet që dëmi të bëhet dhe më pas i faturohet gjithçka SPAK-ut.
Problemi, tha Kikia, qëndron në faktin se derisa SPAK të arrijë të hetojë këto raste, ndoshta pas shumë vitesh, kullat do të jenë ndërtuar, apartamentet do të jenë shitur dhe autorët do të kenë përfunduar "punën" e tyre.
Mentor Kikia: Këtu s'ka nevojë të ndjekësh paranë, mjafton të shikosh kullat dhe ke arritur tek mafia. Por bie dakord që ne kemi ëh deformuar procesin e llogaridhënies si shoqëri dhe drejtojmë gishtin vetëm tek SPAK-u, sepse mendojmë që zgjidhja e çdo gjëje është burgu dhe detyra është e prokurorit dhe e gjykatësit.
Çfarë bën SPAK-u, çfarë bën SPAK-u? SPAK-u në fakt, apo prokuroria në tërësi, se s'ka nevojë vetëm SPAK-u këtu. Është edhe prokuroria e juridiksionit të përgjithshëm, që e trajton krimin në pastrimin e parave si vepër penale.
Merren me fajtorin si ekzekutor i veprës penale, por nga ana tjetër, qeveria, institucionet publike, ekzekutive, kanë mekanizma për të kontrolluar, monitoruar, frenuar, parandaluar, jo thjesht pastrimin e parave, por një sërë veprash të tjera me fokus korrupsionin, sepse edhe për korrupsionin një e dy ne themi çfarë bën SPAK-u.
Por, çdo institucion ka drejtoritë e veta audituese, që nëse do të kishin funksionuar, do të kishin zbuluar si një se një sërë marrëveshjes koncesionare nuk kanë shkuar siç duhet për të ndaluar dëmin financiar, sepse kur ndërhyn prokuroria, dëmi është bërë dhe ne shikojmë vetëm spektaklin e dërgimit të fajtorit në burg, në rastin më të mirë.
Çfarë bëri BE-ja me paratë e IPARD-it? Në momentin që konstatoi që paratë nuk po shkonin tek stallat e lopëve, por po shkonin tek vilat me pishina, gjëja e parë që bëri, mbylli rubinetin, shpëtoi paratë dhe i tha qeverisë më i sill mbrapsht ato të tjerat që ke shpërdoruar.
Ne nuk bëjmë këtë gjë, ne presim SPAK-un. Tani SPAK-u vërtet pas nja 10 vitesh, kur të marrin frymë nga këto dosje, sepse ne i kërkojmë SPAK-ut të hetojë edhe policin e trafikut kur na bie në qafë apo anasjelltas, kur të kujtohet për këtë kullën, është mbushur me njerëz ajo, është shitur, ai që e ka ndërtuar, ka mbaruar punë. Në këtë rast, unë mendoj që përgjegjësi është po kaq i ekspozuar publikisht sa ç'është vetë kulla. Është qeveria.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ORA E BETIT” NË “ORA NEWS”

