Rama: Skemë e re për pensionet, do të pasurojë atë aktuale! Po shtohen fabrikat dhe ndërmarrjet në Shqipëri

Kryeministri Edi Rama, deklaroi sot se Qeveria shqiptare po punon rreth një skeme të re për pensionet, që nuk e zëvendëson aktualen, por e pasuron atë.

Në vizitën në kompleksin industrial në Durrës, ku operojnë disa kompani të integruara në transport, riciklim dhe përpunim industrial, Rama tha se “kjo skemë do t’u japë mundësi atyre që duan të kursejnë më shumë për pensionin, të vendosin në një fond të veçantë një përqindje nga paga e tyre, të cilën shteti do ta shoqërojë me të njëjtën shumë”.

“Nëse dikush vendos të kursejë 1 euro çdo muaj nga paga për fondin e tij të pensionit, i cili më pas do t’i shtohet pensionit që do të marrë nga skema bazë, shteti do të kontribuojë gjithashtu me 1 euro. Kështu, shuma do të bëhet 2 euro. Ky mekanizëm do të jetë i kombinuar, shteti për punonjësit e sektorit publik dhe sektori privat për punonjësit e vet”, tha Rama.

Sipas Ramës, kjo do të bëjë që fondi i pensioneve të fillojë të marrë formë si një mekanizëm që garanton jo vetëm individët që investojnë në të, por edhe forcon lidhjen mes sektorit privat dhe punonjësve.

Kreu i Qeverisë nënvizoi se “në një kohë kur teknologjia po sjell transformime të mëdha dhe në disa aspekte po zëvendëson punën e njeriut, po rritet nevoja për burime njerëzore shumë të specializuara”.

“Në fund të ditës, është e qartë se robotët nuk mund të plotësojnë të gjitha nevojat e sipërmarrjes për kapital njerëzor. Çdo sipërmarrje sot është shumë e interesuar për punonjës të specializuar, apo për ata që janë të gatshëm të specializohen. Kjo nuk është më koha kur kompanitë kursejnë te pagat, por koha kur ato kanë nevojë për specialistët e duhur, në numrin që u nevojitet. Për shembull, një kompani si kjo ka aktualisht 15 specialistë të kualifikuar, ndërkohë që i duhen rreth 40”, pohoi Rama.

Numri i fabrikave dhe ndërmarrjeve në Shqipëri vjen duke u rritur

Në fjalën e tij gjatë takimit të zhvilluar me punonjësit e kompleksit industrial në Durrës, Rama theksoi se “arsyeja pse jemi këtu edhe me kamerat është për ta promovuar sa të mundemi shembullin e mirë të ndërmarrjeve shqiptare, si kjo ndërmarrje ashtu siç pamë dhe nga prezantimi që na bënë themeluesit e kompanisë kanë nisur me një ëndërr të madhe, por me mundësira jashtëzakonisht të kufizuara dhe hap pas hapi janë transfomuar në realitete mbresëlënëse si realiteti që sapo pamë ku faktikisht shkohet nga mbetjet elektronike tek përpunimi i nivelit më të lartë i unazave dhe varëseve të arit”.

Kryeministri Rama tha se “faktikisht nxirret ar nga mbetjet, të cilat për shumëkënd konsiderohen thjesht si mbeturina për t’u hequr qafe, ndërkohë që për këtë kompani janë si materiali i një miniere prej ku krijohet vlerë e shtuar. Me shumë respekt, me shumë mirënjohje për ata që janë në themelet e këtij realiteti dua të shtoj se jemi këtu për të mundësuar që shqiptarët të shikojnë një Shqipëri që punon, por që nuk bën lajm, që nuk shikohet asgjëkundi, për shkak se pasqyrat e lajmeve dhe kronikës janë të zëna me punë të mëdha, siç janë thashethemet apo përsëritjet e gënjeshtrave të ditës”.

Rama vuri në dukje se “shpesh në përmbledhjet e komenteve që bëhen në rrjetet sociale bëhen pyetje: Pse nuk hapni fabrika, ku janë fabrikat, pse nuk ka ndërmarrje? Ndërkohë që numri i fabrikave dhe ndërmarrjeve në Shqipëri vjen duke u rritur dhe duke u spostuar, siç po e  shikojmë edhe këtu tani. Nga ajo hapësira e origjinës dhe ajo makineria që në fillim dukej si ato lavatriçet e betonit, e vogël, tek makineritë e sofistikuara dhe kompjuterike këtu që mishërojnë edhe rritjen e vlerës dhe cilësisë së punës”.

Më tej Rama u ndal tek pagat e punonjësve në sektorin privat.

“Nuk i pyeta me thënë të drejtën themeluesit e kompanisë se me çfarë pagash e kanë filluar në ditën e parë përpara pothuajse 20 vitesh, por di që sot këtu pagat shkojnë deri në 1500 euro dhe me një llogari të thjeshtë paga mesatare këtu është mbi 1 mijë euro, që është një pagë kuptimplotë për Shqipërinë e sotme dhe patjetër jam i bindur do të rritet në varësi të përmbushjes së ambicies që ka kompania për të arritur deri në 40 specialistë të mirinformuar dhe mirëstërvitur për prodhimet e vlerës së fundit”, tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “besoj që këto realitete janë të nevojshme për të stimuluar vëmendjen dhe interesin e shumë të rinjve, duke filluar nga ata të shkollave profesionale”.

“Shkolla profesionale është një adresë, po nga ana tjetër duhet të bëjmë më shumë për të afruar shkollën profesionale me realitetin e industrive dhe duhet të bëjmë më shumë për të informuar kompanitë se çfarë të rejash ka në legjislacionin e shkollave profesionale, ku ne e kemi përfshirë edhe integrimin në punës një pjesë të javës në punë një pjesë të javës në shkollë. Po ashtu kompanive u interes të pikasin nxënësit që iu pëlqejnë për punën dhe të bëhen pjesë e financimit të studimit të tyre, sepse ndërkohë nga njëra anë marrin prej tyre një disponim për të vazhduar punën në kompani dhe praktikisht rrisin ata që bëhen edhe pjesë besnike e kompanisë”, tha Rama.