Kishte thyer edhe arrestin shtëpiak, kapet me k*kainë, arrestohet 52-vjeçari!

Një 52-vjeçar nga fshati Poliçan i Beratit është arrestuar sërish nga policia. Gjatë kontrollit, uniformat blu prangosën iniciale A. Z. pasi iu gjet sasi lënde narkotike.

Në banesën e tij gjithashtu, u sekuestruan sasi lëndësh narkotike të llojit kanabis dhe kokainë. Efektivët gjetën dy mjete prerëse dhe një sasi fishekësh luftarakë që posedoheshin pa leje.

Verifikimet zbuluan se 52-vjeçari po thyente masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Ai ishte nën hetim për të njëjtën veprimtari, por kjo nuk e pengoi të vijonte shitjen e drogës.

Njoftimi i policisë: 

"Berat/Vijojnë goditjet kundër krimeve në fushat e narkotikëve dhe armëmbajtjes.

Arrestohet një shtetas që shiste Kokainë dhe Cannabis Sativa, duke qenë me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për të njëjtën veprimtari.

Gjithashtu, i arrestuari posedonte mjete prerëse dhe municion.

Sekuestrohen sasi të lëndëve narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa, 2 mjete prerëse dhe fishekë luftarak.

Në vijim të kontrolleve dhe punës operative, me qëllime goditjen e paligjshmërive dhe garantimin e sigurisë publike, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, goditën një rast të armëmbajtjes pa leje dhe të shitjes në doza, të lëndëve narkotike.

Për rastin u vu në pranga shtetasi A. Z., 52 vjeç, banues në Poliçan.

Gjatë kontrollit fizik dhe gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, u gjetën lëndë narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa, si dhe 2 mjete prerëse dhe fishekë luftarak.

Ndërkaq, nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se ai ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.",njoftoi policia.