INSTITUCIONET SULMOHEN NGA HAKERËT! Lleshi: Sulmi është identifikuar dhe menaxhuar pa pasoja në kohë reale
Katër institucione të vendit janë sulmuar nga hakerët. Autoritetet konfirmojnë se sistemet kritike nuk janë prekur, por disa emaile të përdoruesve fundorë janë komprometuar. Gjithsesi falë ndërhyrjes së shpejtë të Autoritetit Kombëtar të Sigurisë Kibernetike, situata është nën kontroll ndërsa vijojnë hetimet dhe masat parandaluese për të parandaluar çdo kërcënim të ri.
Katër institucione kritike në vend janë përballur së fundmi me një incident kibernetik.
Autoritetet bëjnë me dije se sulmi është identifikuar dhe menaxhuar në kohë, pa shkaktuar ndikim në sistemet më të rëndësishme të institucioneve.
Objektivi kryesor i sulmit ka qenë disa emaile, përfshirë fushata phishing, që synonin të merrnin informacion të ndjeshëm.
Në një intervistë për Ora News, Adriano Lleshi drejtori i drejtorisë së analizës së sigurisë kibernetike në AKSK u shpreh se është identifikuar i gjithë zinxhiri i sulmit dhe është bërë e mundur izolimi dhe menaxhimi i incidentit për çdo institucion të prekur.
Në një kohë kur sulmet kibernetike po shtohen, ekspertët theksojnë rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve dhe autoriteteve për të garantuar mbrojtjen e të dhënave të qytetarëve.
