VIDEO/ Forcim i mekanizmave për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare në kuadër të CEFTA-s
Komisioni i Kuvendit për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural, miratoi projektligjin “Për ratifikimin e Protokollit Shtesë 7 për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve” në kuadër të CEFTA-s.
Gjatë shqyrtimit në komision, zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, theksoi se projektligji synon forcimin e mekanizmave për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare ndërmjet vendeve anëtare, duke krijuar një sistem më të pavarur, të paanshëm dhe të detyrueshëm sipas modeleve të OBT dhe BE-së.
Sipas tij, protokolli i ri (7) parashikon procedura më të qarta dhe efikase, duke përfshirë konsultimet, ndërmjetësimin dhe shqyrtimin nga panele të specializuara, si dhe mundësinë e arbitrazhit përfundimtar.
“Risia kryesore e këtij protokolli qëndron në vendosjen e një mekanizmi të bazuar në rregulla, që nuk kërkon ndërhyrje politike në procesin e vendimmarrjes, por siguron përputhshmërinë me marrëveshjet dhe garantimin e vendimeve të CEFTA-s”, shpjegoi Musabelliu.
Ai theksoi se, projektligji vjen në kuadër të angazhimeve të Shqipërisë në tregun e përbashkët rajonal dhe synon eliminimin e pengesave jotarifore në tregti midis vendeve të CEFTA-s, duke rritur parashikueshmërinë dhe sigurinë juridike për operatorët ekonomikë.
Sipas tij, mekanizmi i ri pritet të ndikojë pozitivisht në rritjen e flukseve tregtare dhe përmirësimin e klimës së biznesit në rajon, si dhe të forcojë bashkëpunimin ekonomik ndërmjet vendeve të CEFTA-s.
Protokolli është miratuar nga palët në Beograd në tetor 2024.

