Boçi paralajmëron: Reforma territoriale e re nuk duhet të përsërisë dështimin e 2015

Në dëgjesën e parë të Komisionit të Posaçëm të Reformës Territoriale, i ftuar ishte ministri për pushtetin vendor, Ervin Demo.

Deputeti i Partisë Demokratike dhe bashkëkryetar i komisionit, Luciano Boçi, prezantoi analizën e tij mbi reformën e vitit 2015 dhe rrezikun që mund të sjellë procesi i ri.

Boçi thektoi se reforma nuk është thjesht teknike, por lidhet me përfaqësimin e qytetarëve dhe cilësinë e shërbimeve.

Ai theksoi se çdo proces i ri duhet të nisë nga një analizë e ndershme e modelit aktual dhe përgjigjet për pyetje themelore: a është afruar pushteti me qytetarin, a është rritur autonomia vendore, dhe a janë shmangur pabarazitë mes bashkive.

“Pa iu përgjigjur këtyre pyetjeve, çdo reformë rrezikon të jetë thjesht një përsëritje e gabimeve,” tha Boçi.

Ai theksoi se dështimi i reformës së mëparshme nuk lidhet vetëm me hartën territoriale, por me keqqeverisjen dhe centralizimin. Ligjet e miratuara ndër vite kanë zvogëluar funksionet dhe burimet financiare të bashkive, duke krijuar varësi nga qeveria qendrore.

“Pas 10 vitesh, rezultatet janë të qarta: shpopullim, mungesë shërbimesh dhe përfaqësim i dobët në periferi. Kur shteti largohet, qytetari largohet. Dhe kur qytetari largohet, territori vdes,” tha Boçi.

Sipas të dhënave të fundit, mbi 90% e bashkive kanë humbur popullsi, ndërsa më shumë se gjysma e qytetarëve janë përqendruar në disa bashki të mëdha, duke treguar dështimin e zhvillimit të balancuar territorial.

Boçi ngriti shqetësimin për modelin që qeveria po promovon, i cili synon konsolidim territorial dhe reduktim të numrit të bashkive. Ai paralajmëroi se ky model mund të rrisë distancën mes qytetarëve dhe shërbimeve, sidomos në zonat malore dhe periferike.

Në përfundim, Boçi kërkoi një reformë që vendos qytetarin në qendër, garanton përfaqësim real dhe fuqizon autonominë vendore.

“Ne nuk kemi nevojë për një reformë mbi hartë, por për një reformë që i shërben qytetarit,” përfundoi ai.