Debati për rregulloren e Kuvendit: Bardhi: Rregullorja nuk është emergjente, respektoni Kushtetutën

Debate me tone të larta mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancë janë zhvilluar në  Konferencën e Kryetarëve. Mësohet se, shkak janë bërë ndryshimet në rregulloren e Kuvendit të propozuara nga Partia Socialiste. PD argumenton se ndryshimet nuk janë emergjente sepse Gjykata Kushtetuese nuk e ka zbardhur ende vendimin e plotë për ndryshimet e njëanshme. 

Kreu i Grupit parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi i është drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi duke i thënë se e ka hedhur në erë Kushtetutën. Bardhi u shpreh se, parlamenti nuk mund të jetë një tekë e mazhorancës.

“Me vetëdije ju e keni shkelur Kushtetutën. Dhe jo një herë, por dy herë. Me 8 me 0, Gjykata Kushtetuese ka thënë se Kryetari i Kuvendit e ka hedhur në erë Kushtetutën. Pra, Gjykata Kushtetuese na dha të drejtë për shkarkimin tuaj, por ju e keni rrëzuar atë me votë politike.

Prandaj, ndryshimet e rregullores nuk janë emergjente, sepse Gjykata Kushtetuese nuk e ka zbardhur ende vendimin. Pra, nuk ka çështje urgjente për ta trajtuar.

Po ju them: Gjykata Kushtetuese nuk e ka zbardhur vendimin. Prandaj, jua kërkoj me mirësjellje të bëheni garant i Kushtetutës. Parlamenti nuk mund të jetë tekë”, ka thënë Bardhi.