RAMA NIS “PUNËT E SHQIPËRISË”/ Kryeministri porosi deputetëve të PS, edhe vetë takime me qytetarët
Kryeministri Edi Rama mblodhi grupin parlamentar të PS, nga ku mësohet e ka dhënë porosi të qarta për deputetët dhe ka paralajmëruar se shpejti do të nisë takimet me qytetarët si pjesë e turit Punët Shqipërisë. Shefi I mazhorancës mësohet se dha mesazhe edhe ndaj zërave kritikë brenda partisë, duke theksuar nevojën për unitet dhe shmangien e protagonizmit në publik.
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste u mblodh këtë të martë nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama, i cili sipas burimeve ka dhënë porosi të qarta për përfaqësuesit e maxhorancës, të lidhura me turin “Punët e Shqipërisë”, strategjinë në Kuvend dhe komunikimin publik për nismat politike e ligjore.
Burime nga mbledhja e grupit bëjnë me dije se Rama është shprehur se turi “Punët e Shqipërisë” ka nisur të sjellë efektet e para pozitive, e për këtë kryeministri ka kërkuar vijimin e turit nga të gjithë deputetët, ministrat dhe kryebashkiakët, duke mos anashkaluar problemet e qytetarëve.
Ai gjithashtu i ka lajmëruar deputetët e tij se edhe vetë do të zhvillojë së shpejti takime në qytete të tjera të vendit.
Po ashtu, në mbledhjen me dyer të mbyllura është folur për projektligjet që duhet të shqyrtohen nga Kuvendi dhe të miratohen, në sajë të përafrimit të legjislacionit shqiptar me Bashkimin Europian.
Në mbledhje nuk kanë munguar as thumbimet nga kryesocialisti, drejtuar zërave kritikë brenda PS.
Burime thanë se kryeministri është shprehur se “mediet nxjerrin çfarë ata duan të nxjerrin dhe se kjo vjen edhe për shkak të disave ndër ne që duan të bëjnë protagonizëm.”
Ky mesazh i kreut të mazhorancës vjen në një kohë kur Elisa Spiropali, pas largimit nga qeveria, është shfaqur si zë kritik ndaj qëndrimeve të PS-së, sikurse Erion Braçe që ka nisur një fushatë në rrjetet sociale pasi është vetëofruar si kandidat për bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e ardhshme vendore.
Sic tregojnë pamjet, Spiropali ishte ulur në tryezën e grupit të PS, përballë Kryeministrit Rama, ndërsa deputeti Braçe në rradhën e dytë të rreshtimit të ligjvënësve socialist.
