Përplasja Veliaj-Dado/ Çollaku: Tentativë për të shmangur akuzat dhe për të devijuar hetimin
I ftuar në studion e Ora News ishte gazetari Basir Çollaku, i cili komentoi përplasjen mes Erion Veliaj dhe prokurorit të çështjes, si dhe strategjinë e re të ndjekur nga mbrojtja ligjore.
Sipas Çollakut, pretendimet se prokurori është emëruar jashtë procedurave ligjore mund të kenë elementë që duhen verifikuar, por kjo nuk ndryshon thelbin e akuzave ndaj kryebashkiakut.
Ai theksoi se zhvendosja e debatit drejt çështjeve procedurale dhe personale duket si një përpjekje për ta personalizuar procesin dhe për ta larguar vëmendjen nga faktet konkrete të dosjes.
"Hetimi nuk është produkt i punës së një individi të vetëm, por përfshin një sërë prokurorësh, hetuesish dhe agjentësh të Byroja Kombëtare e Hetimit, të cilët kanë mbledhur provat dhe kanë ndërtuar materialin hetimor."
Për këtë arsye, sipas tij, sulmi ndaj një prokurori të vetëm nuk mjafton për të rrëzuar të gjithë procesin.
Çollaku ngriti gjithashtu pyetjen pse pretendimet mbi emërimin e prokurorit po bëhen vetëm tani dhe jo më herët.
Sipas tij, kjo kohëzgjedhje mund të interpretohet si një përpjekje e qëllimshme për të krijuar konfuzion publik dhe për ta kthyer çështjen nga një debat institucional në një konflikt personal.
Ai shtoi se edhe në rastet kur prokurorët apo gjyqtarët janë qytetarë që kanë ushtruar të drejtat e tyre ligjore, kjo nuk duhet të përdoret si argument për të ndërtuar narrativa personale apo për të krijuar tensione të panevojshme në proces.
Në përfundim, sipas gazetarit, çështja po zhvillohet në dy fronte: në sallën e gjyqit, ku vendimtare mbeten provat dhe faktet, dhe në hapësirën publike, ku po zhvillohet beteja e narrativave për perceptimin e opinionit publik.
Ndiqni intervistën e plotë:
