“Do të arrijmë këdo që kërkon të na dëmtojë"/ Netanyahu flet pas eliminimit të krerëve iranian

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se vendi i tij do të vijojë operacionet ushtarake me intensitet të plotë në të gjitha frontet, deri në largimin përfundimtar të kërcënimeve ndaj sigurisë.

Në një reagim në platformën X, Netanyahu përshëndeti vrasjen e kreut të inteligjencës së Gardës Revolucionare iraniane, Islamic Revolutionary Guard Corps, Majid Khatemi, gjatë një operacioni të ushtrisë izraelite.

Ai gjithashtu konfirmoi eliminimin e Yazdan Mir, i njohur me pseudonimin “Sardar Bagheri”, drejtues i Njësisë 840 të forcës Quds, të cilin e akuzoi si përgjegjës për sulme ndaj hebrenjve dhe izraelitëve në mbarë botën.

“Çdokush që përpiqet të vrasë qytetarët tanë, kushdo që drejton terror kundër Izraelit, kushdo që ndërton boshtin iranian të së keqes – mban vetë përgjegjësi për gjakun e derdhur. Ne veprojmë me forcë dhe vendosmëri dhe do të arrijmë këdo që kërkon të na dëmtojë”, u shpreh Netanyahu.

Ai theksoi se operacionet do të vijojnë pa ndërprerje: “Do të vazhdojmë me forcë të plotë, në të gjitha frontet, deri sa kërcënimi të eliminohet dhe të arrihen të gjitha objektivat e luftës”.