“Përshkallëzimi nuk sjell paqe”/ Antonio Costa thirrje urgjente për ndaljen e luftës në Lindjen e Mesme

Pas pesë javësh luftë në Lindjen e Mesme, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka bërë thirrje për një zgjidhje të menjëhershme diplomatike.

Ai paralajmëroi se përshkallëzimi i mëtejshëm ushtarak nuk do të sjellë paqe dhe se qytetarët civilë, veçanërisht në Iran, janë viktimat kryesore të konfliktit.

Costa kërkoi ndalimin e menjëhershëm të sulmeve ndaj infrastrukturës civile dhe energjetike dhe theksoi rëndësinë e rikthimit të plotë të lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe për ekonominë globale.

Ai nënvizoi se vetëm negociatat dhe përpjekjet diplomatike të vazhdueshme mund të sjellin një armëpushim dhe paqe të qëndrueshme.

Gjatë një bisede telefonike me presidentin iranian Masoud Pezeshkian, Costa kërkoi ndërprerjen e sulmeve dhe bashkëpunim për stabilitetin rajonal.