Lufta në Gjirin Persik/ Këshilltari i presidentit të Emirateve të Bashkuara paralajmëron për krizë globale nëse nuk sigurohet Hormuzi

Një marrëveshje e mundshme mes SHBA-së dhe Iranit duhet të sigurojë lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, sipas këshilltarit diplomatik të presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Anwar Gargash.

Ai tha se çdo marrëveshje që nuk ndalon programin bërthamor të Iranit dhe prodhimin e raketave dhe dronëve mund ta bëjë rajonin më të rrezikshëm dhe të paqëndrueshëm.

Gargash nënvizoi se Ngushtica e Hormuzit është një rrugë kyçe për furnizimin global me energji dhe nuk mund të përdoret si mjet presioni nga asnjë vend.

Ai bëri me dije se Emiratet janë të gatshme të bashkëpunojnë me SHBA-në për të garantuar sigurinë e lundrimit.

Sipas tij, sulmet iraniane ndaj infrastrukturës energjetike dhe rrugëve detare kanë për qëllim të rrisin presionin mbi aleatët arabë të SHBA-së.

Ai shtoi se vendi nuk kërkon përplasje me Iranin, por situata aktuale nuk lejon besim të plotë.

Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar gjithashtu pasoja të rënda për Teheranin nëse nuk rihapet Ngushtica e Hormuzit dhe nuk arrihet një marrëveshje.

Konflikti në rajon ka nisur më 28 shkurt, pas goditjeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, duke çuar në sulme të ndërsjella me raketa dhe dronë.

Në këtë situatë, Emiratet e Bashkuara Arabe po punojnë për të mbrojtur sigurinë e vendit dhe ekonominë, duke mbështetur partnerët ndërkombëtarë si SHBA dhe Franca.