FOTO+VIDEO/ Pas “xhiros” në Tiranë, Veliaj rikthehet në qelinë e Durrësit. Gjykata shtyn më 8 maj seancën kundër Dados

Ka përfunduar pas afro 2 orësh në Gjykatën Administrative në Tiranë seanca ndaj prokurorit të SPAK-ut, Ols Dado, i paditur nga kryebashkiaku i arrestuar nga po ky prokuror, Erion Veliaj.

Trupa gjyqësore pasi dëgjoi pretendimet e palëve vendosi shtyrjen e seancës për më datë 8 maj, ku i kërkoi palës paditëse që të sjellë në Gjykatë aktin ku Këshilli i Lartë i Prokurorisë të jetë në proces si palë e paditur, dhe jo e tretë siç është aktualisht.

Nëse kjo nuk bëhet brenda 20 ditësh, atëherë gjykata bëri me dije në sallë se çështja do pushohet.

Pas këtij vendimi, kryebashkiaku Veliaj ka hipur sërish me pranga në duar në mjetin e Burgjeve për t'u përcjellë sërish në qelinë e paraburgimit në Durrës ku qëndron i izoluar që prej 10 shkurtit të vitit të kaluar.

Kujtojmë se me pranga në duar, kryebashkiaku Erion Veliaj u shoqërua në Gjykatën Administrative mesditën e sotme ku vijoi betejën hakmarrëse ndaj prokurorit të SPAK që i ka kopsitur dosjen Ols Dado.

FOTO+VIDEO/ Pas “xhiros” në Tiranë, Veliaj rikthehet

Makina e burgjeve u pa të hynte në oborrin e gjykatës administrative rreth orës 12:45 minuta, ndërsa nga ajo i shoqëruar nga efektivë doli Erion Veliaj, i cili në duart e lidhura me pranga mbante dhe një libër për Fan Nolin të autorit dhe gazetarit, Ilir Ikonomi.

Kryebashkiaku i Tiranës ka paditur institucionin e Presidentit të Republikës dhe prokurorin e posaçëm Ols Dado duke kërkuar konstatimin e pavlefshmërisë absolute të dekretit të vitit 2008, të firmosur nga presidenti i kohës, Bamir Topi.

Sipas kërkesë-padisë, emërimi i prokurorit është kryer në kundërshtim flagrant me ligjin, pasi në momentin e dekretimit ai nuk plotësonte kriteret ligjore të detyrueshme për ushtrimin e funksionit të prokurorit sepse nuk kishte kryer shkollën e Magjistraturës.

Kujtojmë se Erion Veliaj mungoi sot në GJKKO ku po mbahet seanca e gjykimit në themel.

PJESË NGA DISKUTIMET NË SEANCËN E SOTME NË GJYKATËN ADMINISTRATIVE

FOTO+VIDEO/ Pas “xhiros” në Tiranë, Veliaj rikthehet

Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca: Një nga kriteret është të ketë mbaruar Shkollën e Magjisraturës që ai (Ols Dado) nuk e ka pasur. Ndërkohë për emërimet thuhet të ketë punuar tre vite si pedagog, të ketë eksperiencë si këshilltar ligjor, pranë Kuvendit apo Avokatit të Popullit, apo Ministrisë së Drejtesisë, apo si OPGJ dhe këto profesione nuk janë ushtruar nga Ols Dado. A është Ols Dado prokuror apo jo, këtë duam të dimë? KLP na thotë pas një ankimi se ne nuk jemi kompetente për një kërkesë që i kanë bërë mbrojtësit ligjorë. Pra këto thonë nuk jemi kompetente.

Gjyqtari Hazbi Balliu: Pra KLP ka dalë me një akt, a e keni kundërshtuar këtë akt?

Plarent Ndreca: Është akt absolutisht i pavlefshëm. Ne kërkojmë konstatimin e pavlefshmërisë.

Hazbi Balliu: Pse i jeni drejtuar më parë KLP-së?

Plarent Ndreca: KLP rregullon pasojat e një mandati. Mund ta konstatonte mendojmë ne. Por ata nuk e konstatuan. Kjo nuk na heq të drejtën për të bërë këtë kërkesë në Gjykatë. Ols Dado nuk bëhet prokuror i Shqipërisë vetëm kur të sillet prova që ai e ka merituar dhe plotësuar kriteret. A do ishte arrestuar kryetari i Bashkisë nëse ky akt do ishte administruar?! Veliaj a është arrestuar nga një prokuror, apo nga një qytetar që mban funksione publike?! Arrestimi i Veliajt ka sjellë pasoja në të gjithë Tiranën.

Erion Veliaj: Nuk jam këtu për mëshirë. Jam i vetmi njeri që jam në burg nga një kallëzues që nuk ekziston. Unë nuk di kë të kallëzoj. Ajo që kam frikë është se kjo është një kurth. I kam marrë bizneset prej veshi dhe i kam thënë ti do bësh këtë, shkollë, këtë çerdhe etj,. Me telefonin e shtetit më është kërkuar t’i jap Ols Dados leje për shtëpi tek “Rruga e Kavajës”. Më kanë thënë që Ols Dado është sekser se nuk vjen për lejen e vet, por edhe për leje të tjera. Nuk firmos më në Bashkinë e Tiranës, drejtorët kanë frikë. Në Bashkinë e Tiranës plehrat janë sheshit. Ditën kur jam arrestuar kam hapur një shkollë në Kashar, prej asaj dite nuk është hapur asnjë shkollë. Ne duam informacion, s’mund të vijë KLP-ja të na thotë nuk kemi informacion.

Përfaqësuesja e Presidentit: Është një vendimmarrje e vitit 2008 nga Bamir Topi. Nëse i referohemi ligjit, ky është një provë që nisi Prokuroria e Përgjithshme. Në vitin 2008 kemi një propozim nga Prokuroria e Përgjithshme dhe më pas është bërë dekreti. Presidenti është hapi i fundit në këtë proces se emërimi i Dados ka kaluar në hallka të tjera. Nuk mbajnë dot një qëndrim lidhur me rrëzimin e padisë, por e le me çmim të gjykatës. Kriteret nuk i takojnë Presidentit dhe supozohet që kriteret të jenë parë nga KLP dhe PP. Presidenca ka pasur vetëm një shkrese përcjellëse.

FOTO+VIDEO/ Pas “xhiros” në Tiranë, Veliaj rikthehet

Avokati i Ols Dados: Gjykata të mos e pranojë këtë padi. Këtë kemi kërkuar. Pala paditëse nuk ka ndonjë interes. Në ndjekjen penale ka dhe një prokuror tjetër dhe nuk ndikon tek ndjekja penale. Ne për Presidentin, pas kërkesës që është bërë, është vënë në dispozicion dekreti i vitit 2008. Është procesverbali i mbledhjes së KLP-së në vitin 2008 për propozimin e Ols Dados për Prokuror. Janë aktet e KLP në lidhje me këto kërkesa.

Gjykata palës paditëse (Erion Veliajt): Nëse nuk e sillni KLP-së si palë e paditur brenda 20 ditësh, çështja pushohet.

PËRPLASET VELIAJ - DADO

FOTO+VIDEO/ Pas “xhiros” në Tiranë, Veliaj rikthehet

Përplaset e ashpra mes Veliajt dhe prokurorit të SPAK Ols Dado, vijën pasi ky i fundit firmosi urdhër-arrestin për të parin e Tiranës, vendim i ekzekutuar në shkurt të vitit të kaluar.

Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, pasi akuzohet se, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse. Ai mbahet në paraburgimin e Durrësit.