Gjunkshi: SPAK nuk më ka dhënë informacion për kallëzimin ndaj Bashkisë Dibër
Këshilltari i Sigurisë në PD, Xhemal Gjunkshi, ka kërkuar informacion nga SPAK për kallëzimin penal ndaj drejtuesve të Bashkisë Dibër.
Gjunkshi njoftoi se më 25 prill 2025 ka bërë kallëzim penal ndaj Rahim Spahiut, Bedri Kamberit dhe drejtuesve të tjerë të bashkisë për përdorim të funksionit publik, shkelje ligji për ndërtime dhe përdorim të aseteve publike në favor të Partisë Socialiste gjatë fushatës zgjedhore.
Ai deklaroi se, përveç një thirrjeje nga SPAK në maj, nuk ka marrë asnjë informacion mbi statusin e hetimeve dhe kërkoi transparencë para zgjedhjeve të ardhshme vendore. Gjunkshi shtoi se ka depozituar prova konkrete, duke përfshirë një CD që dokumenton punimet dhe shkeljet e kryera.
Ai theksoi se ndërhyrjet u ndaluan në kohë nga mbështetësit e PD-së dhe se kallëzimi synon respektimin e ligjit zgjedhor.
DEKLARATA NGA SPAK E GJUNKSHIT
Sot kam drejtuar një kërkesë për informacion drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, zotit Klodian Braho, prokurorit të SPAK për Task Forcën gjatë asaj periudhe, zotit Elvin Gokaj, në lidhje me kallëzimin penal që kam bërë me datën 25 prill të vitit 2025. Kallëzimi penal është kryer ndaj shtetasve Rahim Spahiu në cilësinë e drejtuesit të Bashkisë Dibër, ndaj shtetasit Bedri Kamberi në cilësinë e drejtorit të burimeve shtesëse dhe drejtuesit të tjerë, në lidhje me kryerjen e veprave penale për përdorimin e funksionit publik, për shkeljet e ligjit për ndërtime të paligjshme dhe punime të paligjshme, për përdorimin e aseteve publike, urdhërimin e punonjësve të bashkisë duke ndikuar dhe duke i favorizuar drejtpërdrejtë në fushatë zgjedhore votuesit e Partisë Socialiste. Në lidhje me këtë kallëzim, unë jam thirrur vetëm një herë nga ana e SPAK-ut, në maj, në fillim të majit të vitit të kaluar dhe në këto kushte kërkoj që për këtë krim zgjedhor të marr një informacion, ku është statusi i hetimeve në lidhje me këtë kallëzim penal që kam bërë.
Po unë jam sot pikërisht këtu sepse kam konstatuar dhe kam parë që nuk ka absolutisht asnjë... drejtuesit e bashkisë aktual të Dibër, pra ata të cilët unë i kam denoncuar, janë shumë të qetë dhe në lidhje me këtë u bë gati një vit dhe sigurisht që për një vit kur çdo gjë është e qartë, është e pastër, ndërkohë që po afrohen zgjedhjet e ardhshme vendore, kërkoj që në emrin tim, në emër të mbështetësve të mi, të Partisë Demokratike, të marr një informacion se ku është statusi i hetimeve në lidhje me këtë kallëzim penal që unë kam bërë.
Po unë, në kallëzimin penal që kam bërë kam depozituar prova të pakundërshtueshme, që bashkë me, që janë, janë depozituar në SPAK, së bashku me një CD e cila tregon ndërtimin dhe punimet e paligjshme të gjithë ato që përmenda pak më sipër, përdorimin e aseteve publike, përdorimin e funksionit publik, pra të gjitha këto janë të parashikuara, janë rreth katër nene dhe më shumë, shkeljet penale që drejtuesit e kësaj bashkie kanë kryer.
Është e ndaluar me ligj që në fushatë zgjedhore të kryhen punime për, në interes, që të kryhen punime në interes të elektoratit, në interes të votuesve. Dhe kjo është një nga arsyet se, ngaqë e ndalon ligji, edhe unë jam për të zbatuar ligjin dhe për t'i vajtur deri në fund kësaj.
Jo absolutisht, ata u ndërprenë sepse u kapën në flagrancë nga ana e mbështetësve të Partisë Demokratike. Kam vajtur vetë atje së bashku me mbështetësit e mi në kohë rekord dhe kemi pezulluar në mënyrë direkt vazhdimin e punimeve, sepse në këto punime, unë e kam sqaruar dhe në kallëzimin që kam bërë, nuk ka pasur as tabelë të afatit të fillimit të punimeve, afatit të përfundimit të punimeve, kush është ai që kontraktori, leja e ndërtimit, e të tjera. Të gjitha këto elementë kanë, pra janë shumë arsye të forta të cilat më kanë detyruar që të drejtohem dhe të bëj kallëzim penal ndaj këtyre drejtuesve.

