Menaxhimi i integruar i mbetjeve dhe turizmi, mblidhen tre komisione parlamentare
Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit bëri të ditur sot se u zhvillua mbledhja e përbashkët të tre komisioneve të përhershme parlamentare: Komisionit për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm; Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën; si dhe Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.
Në këtë takim, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të pushtetit qendror dhe vendor, në fokus të diskutimeve ishte zbatimi i ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe impakti i tij në zhvillimin e turizmit.
E pranishme ishte edhe zëvendësministrja e Turizmit, Marinela Prifti, e cila gjatë fjalës së saj theksoi rëndësinë e zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm dhe synimin për ta kthyer Shqipërinë në një destinacion gjithëvjetor.
Prifti nënvizoi gjithashtu se menaxhimi i mbetjeve mbetet një nga prioritetet kryesore për të garantuar një turizëm cilësor dhe konkurrues.
MTKS e konsideron këtë bashkëpunim ndërinstitucional si një hap të rëndësishëm drejt një modeli zhvillimi që respekton mjedisin dhe forcon potencialin turistik të vendit.
