Vuksani: Me heqjen e skemës për naftën, numri i fermerëve pa mbështetje rritet ndjeshëm
Heqja e skemës së mbështetjes me naftë për bujqësinë pritet të ketë një ndikim të thellë në sektor, duke lënë një numër të madh fermerësh pa ndihmën e nevojshme financiare.
Pavarësisht problematikave burokratike që e shoqëronin, si nevoja për dokumentacion të shumtë apo miratimi nga anëtarët e familjes, kjo skemë konsiderohej një shtyllë thelbësore që mbështeste një pjesë të konsiderueshme të fermerëve në vend.
Eksperti i bujqësisë, Gjok Vuksani, në një lidhje të drejtpërdrejtë me studion e Ora News, theksoi se:
"Heqja e skemës dhe unë, pavarësisht se kam pasur rezervat e mia për dokumentacionin e shumëfishtë dhe kërkesat për nënshkrime të familjes, duhet të pranojmë që kjo skemë mbështeste shumë fermerë.
Në Shqipëri operojnë rreth 350,000 ferma bujqësore, por skemat ekzistuese mbulojnë vetëm 10-15% të tyre.
Me heqjen e skemës për naftën, numri i fermerëve pa mbështetje rritet ndjeshëm."
Ky realitet thekson sfidat e mëdha që përballen fermerët shqiptarë, ku pjesa më e madhe, rreth 80-85%, operojnë pa asnjë mbështetje shtetërore.
Largimi i mbështetjes me naftë pritet të thellojë krizën për një sektor që mbetet jetik për ekonominë e vendit.
Ndiqni intervistën e plotë:
