Xhixho: Sistemi shëndetësor është në kolaps, qytetarët braktisen nga shteti

Zv. Presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, denoncon mungesën dramatike të barnave dhe shërbimeve mjekësore, duke e cilësuar shëndetësinë në Shqipëri si një sistem të braktisur që po rrezikon jetët e pacientëve.

Deklarata e Zv. Presidentes të Partisë së Lirisë, Znj. Erisa Xhixho.

Të nderuar qytetarë!

Sistemi shëndetësor në Shqipëri është në kolaps të plotë dhe këtë nuk e thotë opozita, por realiteti dramatik që përjetojnë çdo ditë qytetarët shqiptarë, veçanërisht pacientët onkologjikë që po lihen në mëshirë të fatit.

Mungesa e barnave jetike si acidi folinik, i domosdoshëm për kimioterapinë, është një alarm kombëtar. Në të njëjtën kohë mungojnë barna thelbësore si Docetacel, që përdoret për trajtimin e pesë llojeve të kancerit, Pembrolizumab për forma të avancuara të sëmundjes dhe Temozolomid për tumoret në tru. Pacientët me kancer nuk po trajtohen sipas protokolleve mjekësore dhe kur protokolli nuk ndiqet, sëmundja avancon. Ky është një dënim i heshtur me vdekje.

Situata rëndohet edhe më tej nga mungesa e shërbimeve jetike si brakiterapia, trombektomia dhe PET-scan. Analizat mjekësore ndalen pas datës 20 të çdo muaji, sepse fondet mbarojnë.je deklarate skandaloze nga Ministria e Shëndetësisë ku sistemi nuk funksionon çdo ditë për pacientët që kanë nevojë.

Qytetarët detyrohen të marrin kredi, të shesin pasuritë apo të kërkojnë ndihmë për të përballuar trajtimet në spitale private apo jashtë vendit. Dhe kjo ndodh ndërkohë që shqiptarët paguajnë nga xhepi rreth 60% të shpenzimeve mjekësore, pavarësisht se paguajnë rregullisht taksa dhe sigurime shëndetësore. Apo kur propagandohet Shëndtsia FALAS. Pra, paguajnë dy herë: një herë shtetit dhe një herë për të mbijetuar.

Premtimet e qeverisë kanë rezultuar një mashtrim i radhës. U premtuan 15 milionë euro për barnat e onkologjikut. U premtua vëmendje e veçantë për këtë sektor. Asgjë nuk është realizuar.

Ndërkohë, kemi një qeveri që nuk i kursen paratë për luks dhe projektet e klientëve të saj: 3.8 miliardë euro për rrugët e florinjta, 450 milionë euro për një incenerator inekzistent, miliona euro për projekte fasadë si “Kopshti Eden” i kryeministrit.
Para ka, por asnjëherë për shëndetin e qytetarëve.

Të nderuar qytetarë, shëndetësia është braktisur.

Çdo shërbim i është deleguar privatit dhe shteti ka hequr dorë nga përgjegjësia e tij themelore. Pacientët janë braktisur. Mjekët janë braktisur. Sistemi është braktisur.

Që në muajin dhjetor e kam ngritur këtë shqetësim përpara Ministres së Shëndetësisë dhe përgjigjja ka qenë “do ta zgjidhim”. Kam kërkuar interpelancë, por Kuvendi nuk funksionon si institucion i llogaridhënies, por si një zgjatim i qeverisë që refuzon përballjen me të vërtetën.

Kërkoj me urgjencë që interpelanca e kërkuar me Ministren e Shëndetësisë të futet në rendin e ditës. Duhet llogaridhënie. Duhet transparencë. Boll më me propagandë!

Shëndeti nuk është luks. Është e drejtë themelore. Dhe një shtet që nuk garanton jetën e qytetarëve të tij, është një shtet që ka dështuar.

Faleminderit!