Korrektesa procedurale dhe hija e skemave të mundshme Veliaj-Xoxa

Rasti i fundit që përfshin Ajola Xoxën dhe Erion Veliajn vendos përballë dy elemente që rrallë shkojnë bashkë në realitetin shqiptar: korrektesën procedurale dhe hijen e skemave të mundshme.

Nga njëra anë, qëndrimi i prokurorisë dhe gjykatës është, në pamje të parë, shembullor.

Duke mos vënë në dyshim raportin mjekësor dhe duke dhënë dakordësi për daljen jashtë shtetit për trajtim mjekësor, organi i akuzës ka zgjedhur një linjë humane dhe të arsyeshme.

Në një sistem drejtësie që shpesh akuzohet për mungesë ndjeshmërie, ky është një sinjal që procedura nuk është verbërisht ndëshkuese, por di të dallojë edhe situatat kur jeta dhe shëndeti duhet të prevalojnë mbi çdo konsideratë tjetër.

Sepse nëse e shohim përtej fasadës humanitare, krijohet një skenar që nuk është aspak i pamundur në praktikën shqiptare, sidomos duke patur në konsideratë sjelljen e deritanishme të Erion Veliajt.

Nëse Ajola Xoxa largohet jashtë vendit për trajtim mjekësor dhe nuk kthehet, Erion Veliaj mund ta përdorë si argument menjëherë për të kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë nga paraburgim në një formë më të lehtë, për t’u kujdesur për djalin e mitur.

Dhe këtu lind pyetja thelbësore: a kemi të bëjmë me një rast të pastër humanitar, apo me një konfigurim rrethanash që mund të shfrytëzohet në mënyrë strategjike?

Sepse precedenti është i njohur, jo domosdoshmërisht në këtë formë, por në logjikë. I pandehuri mund të krijojë një rrethanë emergjente, siç edhe paraqitet rasti konkret, dhe më pas ta përdorë atë si levë për të ndryshuar masën e sigurimit të vendosur ndaj tij.

Nëse kjo ndodh, atëherë korrektesa e prokurorisë dhe gjykatës, që në thelb është për t’u vlerësuar, rrezikon të kthehet në një hap të parë të pavullnetshëm në një skemë më të gjerë.

Kjo nuk do të thotë se kërkesa e Ajola Xoxës është e pavërtetë apo e sajuar, përsa kohë nuk ka prova për të kundërtën.

Përkundrazi, prokuroria dhe gjykata kanë bërë atë që duhet të bëjnë: kanë respektuar një raport mjekësor dhe kanë treguar humanizëm. Por drejtësia nuk funksionon vetëm mbi bazën e akteve individuale; ajo duhet të shohë edhe pasojat zinxhir që këto akte mund të prodhojnë.

Në fund, gjithçka do të varet nga zhvillimet konkrete: a do të kthehet Ajola Xoxa pas trajtimit mjekësor? A do të përdoret situata familjare si argument për lirimin e Erion Veliajt? Dhe mbi të gjitha, a do të jetë sistemi i drejtësisë i aftë të dallojë mes nevojës reale dhe përdorimit taktik të saj?

Sepse në këtë pikë, loja nuk është më vetëm ligjore. Është edhe një test i aftësisë së sistemit për të mos u bërë pjesë, qoftë edhe pa dashje, e skemave që mund të ndërtohen pikërisht mbi korrektesën e tij./ CNA