Berisha zbardh takimin me delegacionin evropian: Deputetja hajdute me çizme, Balla i lidhur me kartelet e drogës
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi pasditen e sotme një takim në Kryesinë e Kuvendit me delegacionin e Këshillit të Evropës.
Berisha, ka lëshuar një sërë akuzash të rënda ndaj qeverisë dhe eksponentëve të saj, pas një takimi me përfaqësues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se i ka informuar ndërkombëtarët për atë që ai e quajti “mënyra më banditeske” e funksionimit të parlamentit shqiptar. Një ndër akuzat më të forta ishte ajo ndaj kryetares së delegacionit shqiptar në KiE, të cilën e cilësoi si “hajdute me çizme”.
Sipas tij, ajo ka vjedhur 10,000 metra katrorë truall në bregdet me dokumente të falsifikuara, një pronë publike për të cilën është dënuar kryetari i bashkisë, ndërsa ajo është dërguar për të përfaqësuar Shqipërinë.
Akuza të drejtpërdrejta u drejtuan edhe ndaj kryetarit të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla. Berisha deklaroi se ka paraqitur fakte për “lidhje direkte të Taulant Ballës me bandat dhe kartelet e drogës”. Ai përmendi dëshmi në gjykata ku, sipas tij, Balla akuzohet se ka porositur vrasje dhe ka komunikuar me kartelin “Çelaj” për të arrestuar bandat rivale. “Sot si shpërblim ai kryeson grupin parlamentar socialist,” shtoi Berisha.
Një pjesë e rëndësishme e fjalës së tij iu kushtua zgjedhjeve të fundit, të cilat ai i quajti një “farsë të shëmtuar elektorale”. Sipas kreut të PD-së, kryeministri Edi Rama përdori të gjithë potencialin e administratës shtetërore, monetare, njerëzore dhe logjistike për të dhunuar procesin zgjedhor. Ai denoncoi gjithashtu “angazhimin total të karteleve të drogës me 28 deputetë”, duke përmendur emrat e Arkend Ballës dhe Sara Miles si përfaqësues të karteleve.
Berisha paraqiti një tablo të zymtë të situatës në vend, duke theksuar se Shqipëria ka pësuar “kthimin mbrapa më të madh në 32 vite” pas heqjes së monitorimit. Ai e përshkroi parlamentin si “të aneksuar” dhe standardet demokratike si “katastrofale”.
Në fund, ai u ndal edhe tek afera e inceneratorëve, duke përdorur një metaforë për marrëdhënien Rama-Balluku. “Në rrafshin politik, Balluku nuk është gjë tjetër vetëm t-shirti i Edi Ramës,” përfundoi Berisha, duke theksuar se kjo vlen vetëm në kuptimin politik.
PJESË NGA DEKLARATA E BERISHËS
Informova përfaqësuesit e e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës se parlamenti shqiptar në mënyrën më banditeske nuk njofton anëtarët e delegacionit të parlamentit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës për takimet e kërkuara nga anëtarët e delegacionit.
Dhe se kryetarja e delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës është një hajdute me çizme, e cila, e cila pasi ka vjedhur me të shoqin 10.000 m katror truall në bregun jonë, duke e paraqitur me dokumente të falsifikuara si pronë e të shoqit, rezulton se ishte pronë publike dhe kryetari i bashkisë futet në burg, ndërsa Elsa, kjo Olta e onturazhit të Edi Ramës dërgohet kryetare e delegacionit të deputetëve të shqiptarë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Akt i turpshëm ndërkombëtar.
Në këtë takim, miqtë e ardhur për të ndjekur procedurën e post-monitorimit, unë i informova se Shqipëria ka pësuar pas heqjes së monitorimit kthimin mbrapa më të madh në 32 vite. Dhe aty unë ndala gjerësisht në sundimin, në lidhjet e tmerrshme me krimin. I informova për lidhje direkte të Taulant Ballës me bandat, me kartelet e drogës, me dëshmitë në gjykatat e vendit se si ai është akuzuar pse ka porositur vrasje, dhe janë djegur dokumentet në procesverbale, se si ai ka komunikuar me kartelin Çelaj për të arrestuar bandat paralele, dhe sot si shpërblim ai kryeson grupin parlamentar të Partisë Socialiste.
Informova gjerësisht për zgjedhjet, për se si këto zgjedhje më shumë se në çdo rast tjetër u shndërruan në një farsë të shëmtuar elektorale, se si Edi Rama përdori të gjithë potencialet e administratës shtetërore, monetare, njerëzore për të dhunuar zgjedhjet, logjistike e të tjerë.
Për gjobat dhe kamatat 2 miliardë euro që u falën, për angazhimin total të karteleve të drogës me 28 deputetë, përfaqësuar njeri nga Arkend Balla, karteli i Tropojës dhe nga Sara Mile, karteli Çelaj, deputetët më të votuar të parlamentit shqiptar.
I informova, ose i njoha me dokumente, me fakte se si parlamenti është aneksuar dhe kryetari i parlamentit përbën një njeri pa asnjë vlerë që nuk respekton as rregullore dhe asgjë. Shkarja e e e standardeve në Shqipëri është katastrofale.
U ndalëm gjatë tek afera Rama-Balluku. Ju dhashë fakte se Balluku është Rama. Përdora një shprehje, në rrafshin politik, Balluku nuk është gjë tjetër vetëm t-shirti i Edi Ramës. Po e theksova kjo në rrafshin politik, që mos të ketë keqkuptime.


