PD: NDRYSHIM SISTEMIT ZGJEDHOR! PS kërkon komision për Reformë Kushtetuese: Më pak deputetë
Partia Demokratike ka përsëritur sot gjatë mbledhjes së Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, kërkesën për rikthimin e koalicioneve parazgjedhore sipas modelit të mëparshëm.
Ndërkohë, Partia Socialiste ka propozuar ngritjen e një Komisioni të Posaçëm për Reformën Kushtetuese, që do të përfshijë edhe çështjet që lidhen me sistemin zgjedhor.
Bashkëkryetari socialist në këtë komision, Damian Gjiknuri shprehu sot vullnetin për të diskutuar ndryshime të mundshme, përfshirë edhe rishikimin e numrit të deputetëve.
Ai theksoi se këto çështje mund të trajtohen të përmbledhura në një komision tjetër përbashkët.
“Nëse do të ketë dëshirë nga ana juaj, ne kemi hedhur një dëshirë, për ndryshim të numrit të deputetëve, që tani po e them që këto çështje t’i përmbledhim në një komision tjetër të Reformës Kushtetuese bashkë me sistemin”, tha Gjiknuri.
“Nëse do shihet paketa kushtetuese, të shihet e plotë. Nëse dëshironi hajde të gjejmë konsensus për çështje që ju interesojnë ju dhe çështje që na interesojnë ne”, theksoi Gjiknuri duke iu drejtuar bashkëkryetarit të komisionit, Bylykbashi.
Sipas Gjiknurit, referendumi nuk është objekt i këtij komisioni, por mbetet çështje që mund të diskutohet më tej mes palëve.
Në përfundim, Gjiknuri bëri thirrje për bashkëpunim mes palëve.
“Sa i përket referendumit nuk është objekt i këtij komisioni, por do e diskutojmë dhe me ju. Por sistemi zgjedhor do kalojë me ndryshimet e tjera kushtetuese, dhe unë për këtë e jap konsensusin”, tha ai.
Gjatë mbledhjes së sotme bashkëkryetari demokrat në komision, Oerd Bylykbashi, e ka cilësuar sistemin aktual zgjedhor si toksik për partitë politike dhe demokracinë.
Ai u shpreh se ky sistem nuk i shërben interesave të qytetarëve shqiptarë dhe pengon funksionimin normal të partive si në parlament, ashtu edhe në qeveri.
Bylykbashi bëri thirrje për një diskutim të hapur politik për t’u diskutuar ato gjëra që janë të nevojshme.
“Ky sistem është sistem toksik për partitë politike, pluralizmin, demokracinë. Ky sistem s’ka lidhje me atë që i duhet shqiptarëve, vret funksionimin e partive në parlament dhe qeveri. Ky sistem duhet të ikë patjetër. S’mund të fshihemi, ky sistem nuk riparohet më, është hibrid. Për çdo ndryshim me rregullat zgjedhore, duhet konsensus. I papranueshëm nxitimi për referendumin. Diskutimi për referendum duhet bërë këtu në komision, jo me draftin që keni nxjerrë”, tha Bylykbashi.
Sipas Partisë Demokratike, nxitimi për zhvillimin e një referendumi është i papranueshëm.

