Balliu te "Ekonomia": Turp që refuzoni që paratë e krimit të shkojnë për familjet e policëve të rënë dhe rininë

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, gjatë mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë, ka kritikuar ashpër mazhorancën për mosmbështetjen e projektligjit të tij që parashikon përdorimin e parave të konfiskuara nga krimi i organizuar në interes të shoqërisë.

Balliu deklaroi se këto para duhet të shkojnë fillimisht për familjet e efektivëve të policisë që kanë rënë në krye të detyrës, të cilat sipas tij sot përballen me mungesë mbështetjeje nga shteti.

Sipas deputetit demokrat, fëmijët e këtyre efektivëve përballen me vështirësi të mëdha ekonomike dhe e kanë të pamundur të blejnë një banesë, edhe për shkak të rritjes së çmimeve të apartamenteve nga pastrimi i parave të drogës.

Balliu theksoi se prioritet duhet të kenë gjithashtu edhe familjet e qytetarëve që kanë mbetur viktima të përplasjes së bandave kriminale. Ai solli si shembull rastin e Memaliajt, ku një i ri që punonte kamarier u vra si pasojë e përplasjes së bandave, duke lënë dy prindër pa djalin e tyre.

Deputeti demokrat u ndal edhe te fenomeni i largimit të të rinjve nga vendi, duke theksuar se projektligji parashikon që një pjesë e konsiderueshme e parave të konfiskuara nga krimi i organizuar të përdoren për mbështetjen e çifteve të reja.

“Nuk ka askush në këtë komision që mund t’u thotë të rinjve se mund të blejnë një shtëpi me një pagë 500 apo 600 euro pasi të mbarojnë studimet. Ndaj këto para duhet të shkojnë për mbështetjen e tyre”, u shpreh Balliu.

Në fund të fjalës së tij, ai akuzoi mazhorancën se po refuzon një nismë që sipas tij do të ndihmonte familjet e viktimave të krimit, familjet e policëve të rënë në detyrë dhe rininë shqiptare.

“Është turp që ju sot nuk e mbështesni këtë projektligj. Ju dilni kundër të rinjve dhe familjeve të policëve të rënë në detyrë, ndërkohë që votoni ligje dhe amendamente për investitorë strategjikë, të cilët më pas rezultojnë të përfshirë në struktura kriminale”, deklaroi Balliu, duke përmendur si shembull edhe rastin e Pëllumb Gjokës.