Punimet në Urën e Viroit në Gjirokastër drejt fundit. Rama ndan pamjet: Do garantohet qarkullimi i pandërprerë

Kryeministri Edi Rama ka ndarë të shtunën pamje dhe detaje nga ecuria e punimeve në Urën e Viroit në Gjirokastër.

E para nga 30 urat që do të ndërtohen ose përmirësohen në të gjithë Shqipërinë, me mbështetjen e Bankës Botërore dhe investimin e qeverisë shqiptare.

Në një postim në Facebook, Rama bën të ditur se projekti po shkon drejt përfundimit dhe përfshin ndërtimin e një ure të re me dy hapësira drite, si dhe një tombinoje që lidh urën ekzistuese në digën e liqenit me lumin Drino.

Sipas tij, ndërhyrjet synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe lehtësimin e qarkullimit në këtë segment rrugor.

Gjithashtu, sipas Ramës janë realizuar struktura në funksion të kategorisë së rrugës C2 dhe është përmirësuar organizimi i hyrjeve dhe daljeve, në një gjurmë të re rrugore që kalon paralel me rrugën ekzistuese.