GJOBAT “SURPRIZË”! Eksperti Likaj: Shumë drejtues mjetesh i mësojnë kur ndalohen nga policia
Mungesa e njoftimit për marrjen e një gjobe apo mungesa e fletëgjobës po kthehet në një shqetësim serioz për shumë drejtues mjetesh në vend.
Qytetarët ankohen se në shumë raste nuk informohen për masat administrative që u vendosen dhe e mësojnë ekzistencën e tyre vetëm kur ndalohen nga policia rrugore ose kur hyjnë rastësisht në platformën e-Albania.
Sipas eksperit të sigurisë rrugore fadil likaj kjo praktikë nuk është efektive dhe nuk ndikon në ndërgjegjësimin e drejtuesve të mjeteve.
Likaj thotë se në momentin kur kryhet një shkelje e kodit rrugor, drejtuesi duhet të ndalohet dhe të njoftohet menjëherë për gabimin, në mënyrë që të mos e përsërisë atë në të ardhmen.
Një tjetër shqetësim për Likaj mbetet fakti se jo të gjithë qytetarët e përdorin rregullisht platformën e-Albania, ku shpesh pasqyrohen këto masa administrative dhe kjo krijon një hendek informimi dhe rrit ndjesinë e padrejtësisë tek qytetarët.
Ekspertët sugjerojnë që autoritetet të forcojnë komunikimin me drejtuesit e mjeteve, duke rikthyer praktikën e njoftimit të drejtpërdrejtë dhe vendosjes së fletës së gjobës në automjet.
Sipas tyre, qëllimi kryesor duhet të jetë jo vetëm ndëshkimi, por edhe edukimi dhe rritja e sigurisë në rrugë.

