INVESTIGIM/ “Life Care Nannys” reklamon si të sigurt qumështin Aptamil që duhet asgjësuar
Pas konstatimit të toksinës cereulide në qumështin formulë “APTAMIL” për foshnja, BE lëshoi alarmin për largimin e menjëhershëm të këtij produkti nga tregu.
Televizioni "Ora News", pas kërkesës drejtuar AKU-së, është informuar se sasia e këtij produkti e importuar në vendin tonë është 66,042 copë ose 43,560 kg.
Nga kjo sasi janë shitur 46,915 kuti qumësht dhe janë bllokuar vetëm 19,127 copë.
Subjekti importues në Shqipëri për qumështit “APTAMIL” është “Life Care Nannys”.
Në redaksinë e televizionit “Ora News”, nëna të shqetësuara kanë raportuar se subjekti “Life Care Nannys” ka keqinformuar prindërit, duke deklaruar si ushqim të sigurt qumështin i cili ka rezultuar me prezencë të toksinës cereulide.
Ky është njoftimi i bërë publik, ku thuhet qartë se qumështi APTAMIL 3 me datë skadence 18/02/2027 është i pasigurt dhe duhet asgjësuar.
Të kontaktuar në telefon kujdesi ndaj klientit i kësaj kompanie, reklamon si të sigurt qumështin që përbën rrezik për shëndetin e fëmijëve
BISEDA
Life Care Nannys: Përshëndetje!
Qytetarja: Flas me “Life Care”?
Life Care Nannys: Po!
Qytetarja: Unë jam një nënë e re dhe kam marrë nje qumështe Aptamil për fëmijën tim
Life Care Nannys: Çfarë qumështi ke marrë të lutem?
Qytetarja: Aptamil. Kam dëgjuar që kanë dalë disa lote me probleme. Të lutem më bëj një verifikim këtë që po përdor unë, mund ta përdor apo ka problem?
Life Care Nannys: Kë numër ke?
Qytetarja: Aptamil numri 3 dhe data e skadencës është 18/02/2027
Life Care Nannys: Ja një sekond ta shoh
Qytetarja: Ok
Life Care Nannys: Kjo data që ke ti nuk është problem
Qytetarja: Ok
Në kushte normale, kujdesi ndaj klientit pas verifikimit duhet ta informonte nënën që të ndalonte menjëhere perdorimin e qumeshtit. Kompania ka detyrim që të kompensojë me vlerë monetare klientin pas kthimit të produktit, ose t’i ofrojë një qumësht të sigurt.
Edhe pse kompania importuese është njoftuar zyrtarisht se ky produkt duhet asgjësuar nuk i informon nënat që ta ndalojnë përdorimin e tij të foshnjat.
Televizioni “Ora News” i është drejtuar me një kërkese për informacion subjektit importues.
Edhe pse nuk kemi marrë përgjigje për pyetjet specifike që i kemi drejtuar , përfaqësues të kësaj kompanie shprehen se produktet që ndodhen aktualisht ne raftet e dyqaneve janë të sigurta, ndërkohë që kjo kompani ka vënë në dispozicion numrin e kujdesit ndaj klientit. Ky është i njëjti numër që ka reklamuar si të sigurt qumështin që është tërhequr nga tregu dhe duhet asgjësuar
Konsumimi i këtij qumështi nga foshnjat paraqet rrezik, pasi “cereulide” është një toksinë rezistente ndaj nxehtësisë; pra, edhe nëse ushqimi ngrohet, toksina mund të mbetet.
Tek foshnjat, rreziku është më i madh sepse sistemi imunitar është ende i brishtë dhe dozat e vogla mund të kenë efekt të madh në trupin e tyre.

