Qeveria miraton planin kombëtar të Garancisë Evropiane për Fëmijët
Këshilli i Ministrave miratoi dje projektligjin për zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit të Garancisë Evropiane për Fëmijët 2026–2030, dokument strategjik i cili synon të garantojë që çdo fëmijë në Shqipëri, veçanërisht ata në situata vulnerabël, të ketë akses real dhe të barabartë në shërbimet bazë.
Ky plan është një hap i rëndësishëm në përpjekjen për të ulur varfërinë e fëmijëve dhe për të forcuar përfshirjen sociale, përmes politikave të koordinuara në nivel kombëtar dhe vendor.
Ai mbështetet në një qasje ndërsektoriale dhe vendos në qendër të politikave publike mirëqenien e fëmijës.
Plani përqendrohet në mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve, edukimin dhe kujdesin në fëmijërinë e hershme, arsimin, shëndetësinë, mirushqyerjen dhe strehimin. Këto janë shtyllat mbi të cilat ndërtohet një sistem më i drejtë dhe më i sigurt për çdo fëmijë në vendin tonë.
Me këtë plan synohet: të krijohet një sistem më gjithëpërfshirës të përfitimeve për fëmijët, që garanton një standard bazë jetese dhe ul varfërinë e fëmijëve; të sigurohet që çdo fëmijë në situata vulnerabël, përfshirë fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët në migracion apo në kujdes alternativ të ketë akses në shërbime sociale cilësore dhe të integruara; të forcohen shërbimet komunitare në të gjitha bashkitë dhe të mbështesim familjet që kanë më shumë nevojë si dhe të garantohet akses i barabartë në shërbime shëndetësore cilësore, arsim, ushqyerje të shëndetshme dhe strehim të përshtatshëm.
MSHMS thekson se ky plan nuk është vetëm një dokument strategjik, ai është një angazhim konkret i qeverisë shqiptare për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më gjithëpërfshirëse, ku asnjë fëmijë të mos mbetet pas.
Në vitet 2026–2030, përmes bashkëpunimit të institucioneve qendrore, pushtetit vendor dhe partnerëve ndërkombëtarë, MSHMS do të ndërtojë një sistem mbështetjeje më të fortë për fëmijët dhe familjet shqiptare, duke vendosur mirëqenien e fëmijëve në qendër të politikave sociale.

