"Bordet nuk janë zgjidhje, por problem" - Xhixho: Ulja e taksave, zgjidhja e vetme për çmimin e naftës

Zëvendëspresidentja e Partisë e Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar përmes rrjeteve sociale lidhur me çmimin e lartë të naftës në Shqipëri, duke theksuar se shkaku kryesor janë taksat e larta.

Sipas saj, rreth 60% e çmimit të naftës në vend përbëhet nga taksat, çka e bën Shqipërinë një nga vendet me çmimin më të lartë në rajon për këtë produkt jetik.

Xhixho u shpreh se zgjidhja nuk qëndron te bordet, të cilat ajo i cilësoi si “borde të vjedhjes”, por te ulja e drejtpërdrejtë e taksave. Ajo theksoi se vendet e tjera të rajonit kanë ndërmarrë masa konkrete për të lehtësuar këtë barrë për qytetarët, ndërsa në Shqipëri çmimi prej 214 lekësh për litër mbetet ende i papërballueshëm për shumë familje.

Sipas deklaratës së saj, rritja e çmimit të naftës ka sjellë efekt zinxhir në ekonomi, duke ndikuar në shtrenjtimin e produkteve bazë si buka, qumështi dhe djathi. Gjithashtu, ajo nënvizoi se sektorë të rëndësishëm si bujqësia dhe transporti po përballen me vështirësi të mëdha për shkak të kostove të larta.

Në vijim, Xhixho bëri të ditur se Partia e Lirisë ka propozuar prej tre javësh një projektligj që synon pezullimin e taksave të qarkullimit dhe karbonit, si një masë emergjente për të ulur çmimin e naftës.

Ajo apeloi për ndërhyrje të menjëhershme, duke paralajmëruar se ekonomia shqiptare rrezikon të shkojë drejt kolapsit nëse nuk merren masa konkrete.

Në fund të reagimit të saj, Xhixho u bëri thirrje qytetarëve të shohin të dhënat përkatëse, të cilat sipas saj tregojnë nivelin e lartë të barrës fiskale mbi çmimin e karburantit.

Postimi i Xhixhos:

Taksat janë arsyeja pse kemi naftën më të shtrenjtë në rajon.

Rreth 60% e çmimit të naftës në Shqipëri përbëhet nga taksat.

Ndaj, zgjidhja nuk janë bordet e vjedhjes, por ulja e taksave.

Të gjitha vendet e rajonit kanë marrë masa për të ulur këtë barrë, ndërsa në Shqipëri çmimi prej 214 lekësh për litër konsiderohet ende “i papërballueshëm”.

Për shkak të çmimit të naftës po rriten çmimet e të gjitha produkteve, nga buka, qumështi e djathi, etj. Gjithashtu po goditen bujqësia dhe transporti.

Partia e Lirisë ka prej 3 javësh që ka propozuar një zgjidhje përmes projektligjit për pezullimin e taksave të qarkullimit dhe karbonit.

Duhet vepruar menjëherë, sepse ekonomia po shkon drejt kolapsit.

Shikoni tabelën më poshtë për të kuptuar zhvatjen që u bëhet çdo ditë.