VIDEO/ Pasi u k*rcënua në rrjete sociale, Adriana Kalaja ndez qirinj para SPAK-ut

Avokatja Adriana Kalaja ka reaguar pas vendimit të këtij institucioni për të pushuar hetimin ndaj gjyqtares së GJKKO-së Irena Gjoka. Para godinës së SPAK, Kalaja ka deklaruar se mbyllja e çështjes së Irena Gjokës është një shkelje e hapur e Kushtetutës.

Avokatja Adriana Kalaja, e cila kishte bërë kallëzimin ndaj gjyqtares, ka reaguar simbolikisht duke ndezur qirinj para derës së SPAK, shprehur pakënaqësinë e saj për pushimin e çështjes.

Vendimi ka rikthyer në qendër debatet për transparencën dhe trajtimin e çështjeve të zyrtarëve të drejtësisë, ndërsa institucioni i GJKKO-së thekson se vendimi është marrë në bazë të rregullave ligjore dhe provave të paraqitura. Në fund, Kalaja i kërkon GJKKO-së të mos pranojë kërkesën e SPAK për pushimin e çështjes.

Ky veprim vjen edhe pasi Policia kriminale e Tiranës, ka referuar në prokurorinë e Tiranës një material kallëzuar duke kërkuar fillimin e ndjekjes penale të një personi, i cili ka kërcënuar me jetë aktivisten dhe avokaten, Adriana Kalaja.

Kjo e fundit është kërcënuar me jetë përmes rrjetit social “Facebook” nga një person me profil të rremë që fshihet pas emrit “Klaus Bianconeri”.

Ky person i ka dërguar disa mesazhe kërcënuese, ku siç mësohet nga materiali policor rezulton se “Klaus Bianconeri” i ka shkruar në rubrikën messenger Ardiana Kalasë:

“…o kukull me fija! Bëj të fala Saliut dhe Sorosit. E di ti kukull me fija qi punon për mua pa vetëdijen tënde? Rama, bosi jot është kukulla ime me fija!Të kanë njoftuar kush jam unë teta? Çoj njerëz me pushime unë!Do të shkosh me pushime ti teta? Do të takosh zotin…?”.

Këtë mesazhe janë administruar nga policia e Tiranës dhe mësohet se pas marrjes në pyetje të avokates Adriana Kalaja, çështja tashmë është përcjellë në prokurorinë e Tiranës, për të vijuar hetimet e mëtejshme, duke kërkuar informacion përmes letërporosisë “Facebook” me qëllim lokalizimin e “IP” të personit kërcënues.

Materiali hetimor i referuar nga policia në prokurorinë e Tiranës mësohet se mban Nr.5137 dhe është administruar qysh prej 24 shkurtit 2026. Aktualisht ende ky material nuk është ndarë tek një prokuror për të nisur praktikën hetimore.