Pikëpyetje mbi draftin e ri të referendumeve/ Jorgo: E shoh si mekanizëm për të plotësuar një kusht për në BE
E ftuar në emisionin “Ora e Betit”, juristja Mirela Jorgo ka komentuar draftin e ri për referendumet, duke ngritur pikëpyetje mbi qëllimin real të kësaj nisme.
Sipas saj, mënyra si është paraqitur drafti dhe momenti kur ka dalë në qarkullim krijojnë dyshime nëse kemi të bëjmë me një përpjekje reale për të fuqizuar demokracinë direkte, apo thjesht me një hap formal në kuadër të integrimit europian.
“E shoh më shumë si një mekanizëm për t’i vënë një ‘tik’ një kushti për integrimin në Bashkimin Europian, sesa si një vullnet të mirë për t’i dhënë zë qytetarëve.”-tha Jorgo.
Në analizën e saj, ajo sjell në vëmendje disa raste të rëndësishme ku, sipas kritikëve, qytetarët nuk janë pyetur për çështje me ndikim të madh publik.
Një prej tyre është shembja e Teatrit Kombëtar, që u shoqërua me reagime të forta, por pa një referendum lokal.
Po ashtu, ajo përmend marrëveshjen e detit dhe ligjin për mbetjet, si raste ku mund të ishte përdorur ky instrument, por nuk u ndërmor asnjë hap në këtë drejtim.
“Po të kishte vullnet real, do të ishin bërë referendume për çështje të ndjeshme si Teatri Kombëtar apo marrëveshja e detit. Kjo nuk ka ndodhur.”- u shpreh ajo.
Në këtë kontekst, drafti i ri shihet nga një pjesë e analistëve si një procedurë që plotëson një kërkesë në letër, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të përdoret realisht si një mjet për të përfshirë qytetarët në vendimmarrje.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA E BETIT":

