Projektligji i dyshimtë për referendumet, Xhani: Drafti i PS-së flet për “komuna” që janë hequr që në 2015-ën

Nisma e fundit ligjore e Partisë Socialiste për referendumet, e cila synon t'u japë më shumë zë qytetarëve, ka ngjallur një debat të thellë mbi qëllimin dhe përmbajtjen e saj.

Për gazetarin Qamil Xhani, projektligji jo vetëm që është një lëvizje për të tërhequr vëmendjen nga çështje të tjera, por përmban edhe problematika serioze, që nga terminologjia e vjetruar e deri te rreziqet e dezinformimit dhe financimit të paqartë.

I ftuar në studion e emisionit “Ora e Betit” në “Ora News” të moderuar nga gazetarja Beti Njuma, Xhani u ndal tek përmbajtja e vetë draftit, ku evidentoi se teksti i projektligjit përdor terminologji të vjetruar, siç është termi "komunë", njësi administrative të cilat janë shkrirë me reformën territoriale të vitit 2015. Ky fakt ngre dyshime të forta se drafti mund të jetë një material i vjetër, i rishfaqur pa një përditësim serioz, gjë që vë në pikëpyetje seriozitetin e nismës dhe propozuesve të saj.

Qamil Xhani: "Mua m'u duk si nga ato lëvizjet për të tërhequr vëmendjen, sepse është një, është debat interesant. Të gjithëve referendumet u duken si ndonjë zgjidhje çudibërëse, sepse mendojnë që me anë të referendumeve do kenë mundësi për të vendosur për gjithçka.

Është një perceptim më shumë sepse nëse i referohemi dhe një pjese të neneve, të paktën nga aq sa e kam lexuar unë, një komunitet lokal që të përfitojë të drejtën për të vendosur për tokën që po i merret apo për një biznes që po do hyjë në projektin e tij, duhet të marri miratimin nga kryetari i komisionit të zgjedhjeve, që e dimë si zgjidhet, si emërohet.

Nuk po hyjmë te emrat aktual. Pastaj nga Presidenti dhe në fund dhe nga Gjykata Kushtetuese.

Në ato që keni dërguar ju janë tjetër gjë, flasim për atë që kanë propozuar këta. Dhe mua ajo që më ra në sy me leximin e parë, pa qenë jurist, pa ndërhyrë fare në profesionin tuaj, aty flitet për terma që ne nuk i kemi më në kuptimin legjislativ, të kodit zgjedhor. Aty flitet për komuna, çdo komunë. Ndërkohë që unë di që kemi 10 vite që ne ligjërisht s'kemi më komuna, të paktën...

Në 2015-ën, po. Nuk ekzistojnë më komunat. Atëherë si këta ekspertët e PS-së prezantojnë një ligj që kanë punuar me me kohë thonë, që me ekspertët më të mirë ligjvënës dhe prezantojnë një ligj ku flitet për komuna, ku s'ka më komuna, ka njësi vendore. Ndoshta parashikojnë t'i kthejnë. Mbase ky është çështje tjetër, po kjo tregon seriozitetin. Atëherë ligji automatikisht i bie që është hartuar para nja 10 vitesh, para 2015-ës.

Që mund të ketë qenë një projekt që, ne s'e kemi dëgjuar dhe thjesht është sjellë sot sepse ngjan, ngjan më interesant. E dyta, me referendumet ka një problem që në përgjithësi dhe në Itali, është problemi i dezinformimit dhe kush i financon.

Këto duken gjëra të parëndësishme, por ne sot akoma nuk po dimë si financohen zgjedhjet parlamentare. Nuk dimë si ta menaxhojmë këtë dezinformimin e përgjithshëm, mediat online, rrjetet sociale, ndërhyrje në fushata.

Në Hungari ka pasur probleme të tilla, në Itali po ashtu dhe ky ka qenë një lloj pretendimi i palës tjetër të Melonit që qytetarët u dezinformuan, nuk u informuan sa ç'duhej ose pati fushata nga partitë e tjera që në rrjetet sociale targetuan votuesit në mënyrë të tillë që të shkonin drejt “Jo”-së.

Gjithashtu dhe në shtet, dhe Brexit ishte një lloj operacioni marketingu digjital për të testuar këto referendume, ndryshimin e opinionit publik. Të gjitha këto probleme i kanë sot vendet e BE-së. Ndërkohë në ligj unë nuk i pashë si do zgjidhen këto dhe për më tepër ne nuk i kemi zgjidhur ende me zgjedhjet aktuale.

Kemi 35 vite, kemi një kod që e bëjmë copa pas çdo pas fushate elektorale dhe sërish dalin probleme të reja dhe jemi ende si financohen zgjedhjet, si numërohen votat, kush do i numërojë, do jenë komisionerë të pavarur apo do jenë politikë".

PËR MË SHUMË NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ORA E BETIT”