Rrëzohet kërkesa e avokatit Plarent Ndreca, shtyhet seanca për Veliajn në GJKKO

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të shtyjë seancën e dytë në themel ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Shkak për shtyrjen u bë mungesa e një avokati mbrojtës për Meriman Palushi, një prej të pandehurve në çështjen që lidhet me hetimet ndaj Veliajt.

Në të njëjtën kohë, gjykata vendosi të legjitimojë ish-deputetin e PS-së, Plarent Ndreca, si avokat të kryebashkiakut, pas kërkesës së këtij të fundit.

Ndërkohë, GJKKO rrëzoi kërkesën e Ndrecës për ripërsëritjen e procedurës së dorëzimit të akteve, duke vlerësuar se ajo është kryer në përputhje me ligjin. Vetë Veliaj nuk ishte i pranishëm në seancë.

Ndërkohë më herët u raportua se i akuzuari dhe nën hetim nga Prokuroria e Posaçme, Plarent Ndreca do të jetë avokati i kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliajt.

Kujtojmë se sot ishte seanca e dytë e gjykimit në themel për kryebashkiakun e arrestuar, Erion Veliaj, bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, si dhe 28 personat e tjerë të pandehur.

Seanca e 9 Marsit u shty për shkak të skemave të Veliajt i cili kërkoi të njihej me aktet hetimore. Për këtë në seancë u vendos që t’i dërgoheshin 61 mijë faqe nga dosja hetimore.

Edhe pas këtij vendimi Veliaj ka përdorur skemat dhe skenarët e tij, me një qëllim të vetëm për të shtyrë seancat dhe për të vijuar të zvarrisë gjyqet.

Kryebashkiaku ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025, pas hetimeve të SPAK, ku ndaj tij janë ngritur akuza për korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në burg.