"SPAK i vetëm përballë pushteteve"/ Çollaku: Pa mbështetje nuk mund të ketë sundim ligji

Në një lidhje direkte për Ora News, gazetari Basir Çollaku ka folur për situatën e krijuar rreth SPAK dhe raportin e tij me institucionet e tjera.

Sipas tij, Struktura e Posaçme ndodhet përballë një presioni të madh institucional, në një kohë kur pritet të japë rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta.

“Një institucion si SPAK, që ka pritshmëri të larta nga publiku, sot e ka qeverinë përballë, parlamentin përballë, madje edhe Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë përballë.”-tha ai.

Çollaku ngriti shqetësimin se mungesa e mbështetjes po e vështirëson punën e këtij institucioni, ndërsa shtoi se rritja e numrit të zyrtarëve nën hetim nuk po shoqërohet me forcim të sistemit.

“Kur shtohen hetimet, shtohen të pandehurit dhe njerëzit në qeli, por nuk ka mbështetje për institucionin, atëherë nuk mund të presësh atë që kërkojnë qytetarët, sundimin e ligjit.”- u shpreh gazetari.

Në vijim, ai foli edhe për zhvillimet politike, duke përmendur diskutimet për ndërhyrje në legjislacion.

Sipas tij, këto lëvizje mund të ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e drejtësisë dhe në balancën mes pushteteve.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË: