Noka pas takimit me protestuesit e arrestuar: Pushteti i horrave do të marrë fund
Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka takoi sot protestuesit e arrestuar gjatë tubimit të së dielës. Ai u shpreh se pushteti i inkiminuar do të marrë fund dhe se populli opozitar do të vendosë për fatin e atyre që ai i quajti “bandë kusarësh”.
Noka: Së bashku me z.Balliu vizituam të arrestuarit politik të narkoregjimit. Të gjithë ishin me moralin lartë. Janë të gjithë viktima politike të mllefit të regjimit që po jep shpirt.
Ata ndihen sot më të motivuar se kurrë për betejën me narkoregjimin. Na përcollën një mësazh që, nuk ka dorëzim, por dorëzim do të ketë vetëm narkoregjimi.
Protestat dhe revoltat vetëm se, do të shtohen dhe arrestimi politik vetëm se ka motivuar më shumë për këtë betejë. Nga ana tjetër, ndihesh keq kur vjen këtu dhe shikon qytetarë që protestojnë për të drejtat e tyre, qytetarë që protestojnë për një shoqëri të lirë, për një Shqipëri pa korrupsion, pa krim, pa drogë dhe pa narkoregjim, por për një qeveri demokratike. Ndihesh keq kur i shikon atje të arrestuar.
Ndërkohë që, në vend të tyre sot duhet të ishin banditët me dhe pa uniformë që i shërbejnë regjimit, që arrestojnë qytetarë në punë të tyre dhe në të drejtën e tyre, që dhunojnë qytetarët në mënyrën më barbare dhe më shtazarake. Pra, këtu duhet të ishin ata mercenarë me kapele dhe pa kapele që paguhen për t’i shërbyer ligjit dhe i shërbejnë karteleve të drogës dhe kusarëve të pushtetit.
Kjo do të marrë fund. Asgjë nuk e ndalon dot të drejtën e qytetarëve, por as edhe drejtësinë.
Nesër, pushteti i horrave nuk do ta ketë të gjatë, do të marrë fund. Por qytetarët, populli opozitar do të japë verdiktin për këtë bandë kusarësh.
Faleminderit!
Gazetarët: Z.Noka, po dhuna ndaj deputetëve u pa hapur që ishte nga policia, dhunuan deputetët. Në këtë rast ishte Xhelal Mziu që është edhe me pamje të siguruara. A ka ndonjë masë për këto policë?
Noka: Prandaj thashë. Ju keni parë që aty dekorohen kush çdonjëri nga horrat e pushtetit që dhunon opozitarët, qytetarët, që arreston protestuesit paqësorë, që dhunon deputetët, çdonjëri nga ata horra që turpëron uniformën e policisë kur shan protestuesit që keni parë dhe filmuar ju, ata në regjimin e narkosit thjesht lavdërohen dhe ngrihen në karrierë.
E vërteta është se, do ta paguajnë një për një. Ne po mbajmë shënim çdo gjë, çdo emër. Kemi nisur t’i denoncojmë dhe do t’i etiketojmë si armiq të drejtësisë dhe të ligjit. Çdo oficer, çdo drejtues, çdo punonjës që ka uniformën e policisë, por përfaqëson bandën e pushtetit. Ata do të konsiderohen armiq të ligjit dhe armiq të popullit opozitar dhe të opozitës. Një ditë, shumë shpejt, çdonjëri prej tyre do të japë llogari edhe para ligjit.
Faleminderit!
