“Mos fajësoni shqiptarët”/ Bardhi i përgjigjet ashpër Komisioneres së BE-së: Përgjegjësia e korrupsionit është vetëm e Kryeministrit

Gazment Bardhi ka reaguar pas deklaratave të Marta Kos në një intervistë për Politico, duke i quajtur të papranueshme.
Në reagimin e tij, Bardhi kundërshton idenë se shoqëria shqiptare mban përgjegjësi për korrupsionin. Sipas tij, qytetarët nuk janë të korruptuar dhe përgjegjësia është individuale.
Ai e lidh këtë përgjegjësi me qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama.
Ai përmend edhe rastin e Belinda Balluku, duke thënë se është mbrojtur politikisht nga mazhoranca në Kuvend.
Bardhi ndalet edhe te roli i SPAK, duke thënë se nuk është shoqëria ajo që e pengon, por ndërhyrjet politike.
Në fund, ai u bën thirrje institucioneve europiane që të distancohen nga qëndrime të tilla, pasi i konsideron të papërshtatshme për një shoqëri që mbështet integrimin europian.
REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI:
I pabesueshëm qëndrimi i Komisioneres së Zgjerimit znj. Marta Kos, që është shpërndarë në median shqiptare në vijim të një interviste të saj në Politico, që bën bashkëpërgjegjës për korrupsionin e Edi Ramës shoqërinë shqiptare.
Shoqëria shqiptare nuk e pranon korrupsionin, shqiptarët nuk janë të korruptuar.
Përgjegjësia për korrupsionin dhe pranimin e mbrojtjen e tij është vetëm personale e Edi Ramës. Korrupsionin e Belinda Ballukut nuk e kanë pranuar shqiptarët, por e ka mbrojtur Edi Rama me deputetët – kartona në Kuvendin e Shqipërisë. SPAK nuk po e pengon shoqëria shqiptare të luftojë korrupsionin, por po e pengon Edi Rama që po ndërhynë në hetimet e një çështje konkrete.
Ju nuk keni asnjë të drejtë të fyeni shoqërinë shqiptare, që është populli më proeuropian në botë. Ne e përbuzim përgjithësimin dhe vlerësimin tuaj për shoqërinë shqiptare, dhe kërkojmë me këmbëngulje distancimin e institucioneve europiane mbi përgjithësime të tilla të papërshtashme për shqiptarët.

