VIDEO/ Xhixho: “Shqipëria 2030”, një mashtrim elektoral, njësoj si premtimi për “ujë 24 orë”
Deputetja dhe njëherësh Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale deklaron se Shqipëria sot nuk është thjesht në vendnumëro në procesin e integrimit, por ajo po largohet çdo ditë nga Europa
REAGIMI I XHIXHOS
Shqipëria sot nuk është thjesht në vendnumëro në procesin e integrimit — ajo po largohet çdo ditë nga Europa. Që në vitin 2017, me shkrirjen e Ministrisë së Integrimit, u dha sinjali i qartë se integrimi europian nuk ishte më prioritet.
Më pas u shkrinë mekanizmat e mbikëqyrjes parlamentare, duke dobësuar rolin e Kuvendit në reformat europiane. Sot kemi kaluar në një fazë edhe më të rëndë: mbrojtje politike ndaj aferave korruptive dhe mungesë transparence, në kundërshtim me çdo standard europian.
Kjo nuk është thjesht papërgjegjshmëri — është një qeverisje që mbron pushtetin para ligjit.
Deklaratat e Europarlamentarit McAllister janë kambanë alarmi për Shqipërinë: partnerët europianë po e shohin qartë se problemi nuk janë më vetëm reformat e papërfunduara, por mungesa e vullnetit për të luftuar korrupsionin në nivelet më të larta.
“Shqipëria 2030” nuk është gjë tjetër veçse një mashtrim elektoral, njësoj si premtimi për “ujë 24 orë”. Ndërkohë, realiteti është një qeveri që pasurohet në kurriz të qytetarëve dhe një vend që mbahet peng nga korrupsioni dhe pandëshkueshmëria.
Shqiptarët meritojnë më shumë se propagandë. Ata meritojnë një qeveri që nuk mbron aferat, por mbron interesin publik dhe të ardhmen europiane të vendit.

