TRITOLI I POROSITUR NGA BURGU I FUSHË-KRUJËS/ Gjykata e Tiranës jep masat për grupin e përfshirë

Gjykata e Tiranës ka caktuar masat e sigurisë për personat e përfshirë në shpërthimin me tritol ndaj automjetit të Oltian Klosit, ngjarje e ndodhur më 10 mars në kryeqytet.

Në vendim, për Sabah Nuzin është dhënë arrest në burg, si i dyshuar si porositës i krimit, ndërsa në burg janë dërguar edhe Jurgen Gjonaj, Renato Balla, Kristjan Ahmerama dhe Eklips Leti.

Për Glentjan Kojtarin dhe Dorjan Hamollin është caktuar arrest shtëpie, ndërsa Geris Molla është lënë në detyrim paraqitjeje.

Sipas hetimeve, shpërthimi është kryer me telekomandë pasi në mjet ishte vendosur një sasi eksplozivi. Dyshohet se konflikti lidhet me pazare droge mes Nuzit dhe pronarit të automjetit, dhe për shkak të një shume të pakthyer është organizuar sulmi.

Prokuroria dyshon se lënda plasëse është vendosur nga Jurgen Gjonaj, ndërsa personat e tjerë kanë ndihmuar me informacione për lëvizjet e mjetit, sigurimin e eksplozivit dhe largimin nga vendi i ngjarjes.

Nga ana e tij, Sabah Nuzi ka mohuar përfshirjen, duke thënë se nuk ka lidhje me ngjarjen dhe se akuzat ndaj tij janë të pabaza.