Fotografia ka humbur autenticitetin?/ Albes Fusha: Të gjithë jemi kronikantë të jetës sonë në epokën e smartfonëve
Në emisionin "Ora e Betit", u ftua artisti Albes Fusha, i cili ndau mendimet e tij mbi ndikimin e teknologjisë dixhitale në fotografi dhe dokumentimin e jetës moderne.
Fusha e vuri theksin te roli i çdo individi si kronikant i jetës së vet në epokën e smartfonëve dhe rrjeteve sociale.
Ai foli për transformimin që ka pësuar fotografia dhe sfidat që lindin nga manipulimi i imazheve.
“Gjithkush mund ta shijojë e ta shohë nëpërmjet rrjeteve sociale. Nuk ma merr mendja se ka ndonjë person që nuk ka një telefon dhe që të mos nxjerrë një foto kur sheh një gjë të bukur.”- tha ai.
Ai shtoi se, ndonëse teknologjia ka dhënë mundësi të jashtëzakonshme për dokumentimin e jetës personale dhe urbane, sasia e madhe e imazheve mund të zvogëlojë vlerën e tyre dhe të vërë në dyshim autenticitetin.
“Kjo e bën që ne të gjithë të jemi kronikantë të jetës tonë. Secili jep pjesëzat e vogla për të krijuar historinë, dhe fotografia na ndihmon të dokumentojmë momentet më të rëndësishme.”- tha Fusha.
Fusha vuri gjithashtu në dukje se ndërhyrjet me filtra dhe modifikime e bëjnë kufirin mes realitetit dhe imazhit të manipuluar gjithnjë e më të paqartë, duke hapur një debat mbi të ardhmen dhe rolin e fotografisë në shoqërinë bashkëkohore.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA E BETIT":

