“Shfaqjet duhet të lëvizin”/ Armela Demaj për teatrin që nuk arrin në qytetet e tjera përtej Tiranës
Në studion e emisionit “Ora e Betit” ishte e ftuar aktorja e njohur Armela Demaj, e cila foli për situatën e teatrit shqiptar dhe mungesën e ndërthurjes mes brezave të artistëve.
Ajo theksoi se largimi i brezit të vjetër dhe mungesa e transferimit të përvojës ka krijuar një boshllëk që dëmton cilësinë artistike dhe zhvillimin e talenteve të reja.
“Është humbje për të gjithë ne, është humbje në aspektin e cilësisë artistike, sepse teatri është jetë dhe jeta i ka të gjitha moshat,” tha Demaj, duke nënvizuar rëndësinë e bashkimit të gjeneratave për vitalitetin e artit skenik.
Ajo shtoi se centralizimi i teatrove në Tiranë e bën të vështirë për publikun jashtë kryeqytetit të ketë kontakt me shfaqje profesionale.
“Unë vetë vij nga Saranda, dhe përvoja ime e parë me teatrin profesionist erdhi vetëm falë Festivalit të Butrintit,” tha aktorja.- deri atëherë nuk kisha parë asnjë shfaqje dhe kështu ka qindra të tjerë që mbeten pa kontakt me teatrin.”
Demaj foli edhe për mungesën e vepra të huaja dhe shqiptare në repertorë, duke përmendur rëndësinë e festivaleve si ai i Veprës Shqiptare në Teatrin Metropol, që synon të nxjerrë dramaturgji vendase dhe të zbulojë vepra me potencial për skenën.
“Është e vërtetë, duhet të bëjmë më shumë që shfaqjet të lëvizin dhe të arrijnë në qytetet e tjera. Publiku dhe artistët e rinj duhet të kultivohen,” u shpreh Demaj.
Aktorja përmendi gjithashtu ambientin familjar që krijohet mes aktorëve gjatë punës intensive në teatër, duke theksuar se kjo lidhje ndërbrezore është thelbësore për krijimtarinë.
“Është humbje për brezin e ri, sepse ka të vështirë të mësojë nga eksperienca e brezave të mëparshëm, dhe për brezin e vjetër, sepse eksperienca e tyre nuk po kalon tek të rinjtë,” tha Demaj.
Armela Demaj përfundoi duke theksuar se pavarësisht sfidave, ekzistojnë iniciativa që i japin shpresë teatrit shqiptar dhe mundësinë për të nxjerrë në pah talentet dhe dramaturgjinë vendase.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA E BETIT":
