FOTO+VIDEO/ Nga Palermo thirrje për paqe! Baba Myrteza Shehu thekson rëndësinë e dialogut ndërfetar
“Sot, më shumë se kurrë, njerëzimi ndodhet përballë sfidave që nuk janë vetëm politike apo ekonomike, por thellësisht morale dhe shpirtërore: luftrat, ekstremizmi, urrejtja identitare dhe kriza e dinjitetit njerëzor. Ndaj takime të tilla nuk janë vetëm ngjarje protokollare.”
Këto kanë qënë disa nga fjalët e Baba Myrteza Shehut në Palermo ku u zhvillua forumi ndërfetar me temë “Të bashkuar për paqen: një dialog ndërfetar për një të ardhme më të ndritur”, një aktivitet që solli në një tryezë të përbashkët përfaqësues fetarë dhe drejtues rotarianë për të promovuar dialogun dhe bashkëpunimin mes komuniteteve.
Takimi u organizua nga Rotary E-Club Cosmopolitan Tirana, në kuadër të binjakëzimit me Rotary Club Palermo Monreale, të drejtuar nga presidentet Silvana Karajani dhe Simona Pantaleone. Në këtë forum morën pjesë edhe shumë klube të tjera të Rotary-t Sicilia.

Në aktivitet ishin të pranishëm edhe guvernatori i distriktit për Shqipërinë dhe Kosovën Arben Dushi, si dhe guvernatori i distriktit të Italisë Sergio Malizia.
Një pjesë qendrore e forumit ishte dialogu ndërfetar, ku morën pjesë përfaqësues të komuniteteve fetare. Mes tyre ishte Baba Myrtezai, përfaqësues i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Shqipëri, si dhe Corrado Lorefice, arqipeshk i kishes katolike te Palermos, dhe Raffaele De Angelis, monsinior i kishes ortodokse i Piana degli Albanesi.
Gjatë eventit u prit me shumë interes fjala e Baba Myrteza Shehut, i cili ndër të tjera theksoi:
“Le të ecim së bashku për një botë ku feja është dritë, ku dialogu është kulturë dhe ku paqja është trashëgimi për brezat që vijnë. Edhe kur nuk ndajmë të njëjtën doktrinë fetare, ndajmë të njëjtën origjinë krijuese dhe të njëjtën përgjegjësi morale. Dialogu nuk është dobësi dhe nuk është relativizim i besimit, por është shprehje e besimit të pjekur dhe e vetëdijes shpirtërore.”

Qëllimi i këtij takimi ishte të nxisë dialogun ndërfetar dhe kulturor, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes komuniteteve dhe rolin e këtij dialogu në ndërtimin e paqes dhe mirëkuptimit mes popujve.

