Njeriu si kryevepër e përfunduar, një meditim mbi dritëhijet e qenies, sipas Osho-së

​Nëse ekzistenca njerëzore do të kishte një manifest të shkruar në gjuhën e heshtjes, ai do të niste me këtë kushtrim: Hiq dorë nga ideja për t’u bërë dikushi. Kjo ftesë e Osho-s nuk është thirrje drejt pasivitetit, por drejt një zgjimi radikal. Ne jetojmë në një epokë ku "të bërit" ka përgjakur "të qenit".

Vrapojmë pas projeksioneve, sukseseve dhe maskave, duke harruar se në thelbin tonë, ne nuk jemi një projekt në proces, por një kryevepër e përfunduar. Nuk ka asgjë për të shtuar në një shpirt që është tashmë i plotë; ka vetëm shtresa pluhuri për t’u hequr që drita e brendshme të shkëlqejë pa pengesa.

​Për Osho-n, dashuria është prova finale e pjekurisë. Ai na kujton me një metaforë therëse se njeriu, në egoizmin e tij, shpesh e vret atë që admiron. Nëse e do një lule dhe e këput, ti ke vrarë bukurinë për të zotëruar kufomën e saj. Dashuria e vërtetë është vlerësim pa kushte, është aftësia hyjnore për ta lënë tjetrin të jetë i lirë, të jetë vetvetja, të jetë i egër. Dashuria nuk është një marrëdhënie mes dy personave, por një gjendje e qenies, ti nuk "je i dashuruar", ti je vetë dashuria.

​Udhëtimi drejt vetvetes kalon përmes pranimit të të gjitha dualiteteve. Jeta nuk është një kopsht i pandërprerë me diell, ajo është ritmi midis verës dhe dimrit, midis dritës dhe errësirës. Osho ndërton një arkitekturë mahnitëse të shpirtit

Trishtimi, sipas tij, është graviteti ynë, ai na jep rrënjë, na zhyt thellë në tokën e të vërtetës dhe na jep densitet.

Për të cekur kësisoj Lumturin, që për Oshon është fluturimi ynë. Ajo na jep lartësi, degë që prekin qiellin dhe na deh me liri. Njëra nuk mund të ekzistojë pa tjetrën. Sa më lart të kërkojë të ngjitet pema e shpirtit, aq më thellë duhet të zbresin rrënjët në humnerën e trishtimit. Ky ekuilibër nuk është statik, është një vallëzim dinamik, një tension krijues që e mban qenien gjallë.

​Të jesh krijues do të thotë të kesh kurajën për të hyrë në një marrëdhënie dashurie me të panjohurën. Është refuzimi i skemave të gatshme dhe dëshira për të lënë pas një gjurmë muzike, një varg poezie apo një lëvizje vallëzimi në pëlhurën e jetës. Jeta e vërtetë nuk nis në rehati, por aty ku merr fund frika. Atëherë kur ne nuk kemi më frikë nga eksperienca, qoftë ajo e hidhur apo e ëmbël, ne arrijmë maturinë supreme.

​Ky vëllim eseistik nuk synon t’ju mësojë diçka të re, por t’ju kujtojë atë që e keni ditur gjithmonë, por keni pasur frikë ta jetoni, se ju jeni liria, ju jeni krijimtaria dhe mbi të gjitha, ju jeni vetë dashuria që kërkoni.

​Përgatiti: Albert Vataj