“Atje ku dielli lind dy herë”/ Luan Rama uron Namik Doklen në 80-vjetorin e lindjes
Luan Rama ka uruar Namik Dokle me rastin e 80-vjetorit të lindjes, duke e cilësuar jetën dhe veprën e tij si një udhëtim të pasur mes gazetarisë, politikës dhe letërsisë, që ka lënë gjurmë të rëndësishme në jetën publike shqiptare.
Postimi:
Në 80-vjetorin e lindjes:
NAMIK DOKLE - I LINDUR
ATJE KU DIELLI LIND DY HERË
Ka njerëz që i përkasin kohës së tyre.
Ka të tjerë që mbartin kohën brenda vetes.
Dhe na vijnë bashkë me kohën si shembulltarë vlerash që mirësinë e kanë nyje përbashkuese.
I lindur tetëdhjetë vjet më parë atje ku dielli lind dy herë, Namik Dokle, duke mbartur kohën brenda vetes, ka ditur ta mbajë në sy diellin e vet, edhe kur i është dashur të ecë nëpër dimra që vënë në provë durimin, apo përmes pranverash që gjallnojnë shpresën; midis verës së mbushur me punë apo vjeshtës, duke mbledhur frytet e kujtesës.
Në këtë udhëtim, nisur nga bjeshkët e vendlindjes, ai ka kaluar nga redaksitë e gazetave te tribunat e politikës dhe, prej andej, te qetësia reflektuese e librave, ku fjala bëhet më e thellë dhe kujtesa më e gjallë.
Tetëdhjetë vjet më parë nisi një jetë.
Sot ajo jetë është bërë histori, përvojë dhe letërsi.
Në fund të fundit, çdo jetë matet jo vetëm me vitet që kalojnë, por edhe me gjurmët që lë te njerëzit.
Në këtë kuptim, tetëdhjetëvjetori i Namik Dokles nuk është vetëm një përvjetor.
Është një moment për të kujtuar një udhëtim që vazhdon ende, me të njëjtën thjeshtësi, me të njëjtën mirësi dhe me të njëjtin dinjitet, siç na ka mësuar gjithmonë Namik Dokle.
Udhëtim të mbarë me diellin gjithmonë në sy për të tjera gjurmë!
Të paçim i dashur Namik!