Zbardhet rendi i ditës, para votimit të kërkesës së SPAK-ut, do t’i jepet fjala ...

Kuvendi i Shqipërisë ka bërë publik rendin e ditës për seancën plenare të 12 marsit, ku ndër çështjet kryesore që do të shqyrtohen është edhe kërkesa për dhënien e autorizimit për arrestimin e Belinda Balluku.

Sipas rendit të ditës, para se të paraqiten raportet e përgatitura nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, do t’i jepet fjala vetë deputetes Belinda Balluku për të shprehur qëndrimin e saj.

Pas kësaj, përfaqësuesit e opozitës do të prezantojnë raportin e hartuar nga anëtarët e tyre në Këshill. Në vijim, edhe përfaqësuesit e shumicës parlamentare do të paraqesin qëndrimin dhe raportin përkatës lidhur me këtë çështje.

Në përfundim të diskutimeve, kërkesa për autorizimin e arrestimit do të hidhet në votim në seancën plenare. Sipas procedurave parlamentare, miratimi i këtij projektvendimi kërkon shumicë të thjeshtë votash.

Dokumenta bashkëngjitur