Mazhoranca rrëzon kërkesën për heqjen e imunitetit, Kikia: Vendim i paralajmëruar, nuk kishte surprizë

Votimi kundër i mazhorancës socialiste për heqjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku nuk përbën asnjë surprizë.

Sipas analistit Mentor Kikia, i cili ishte i ftuar në “Ora News”, ky ishte një vendim i pritshëm dhe i paralajmëruar, duke ndjekur një linjë të qartë politike të përcaktuar më herët.

Në një analizë të tij, Kikia shprehet se Partia Socialiste dhe personalisht kryeministri Rama kanë mbajtur një qëndrim të pandryshuar që në momentin e parë kur prokuroria kërkoi pezullimin nga detyra të zonjës Balluku. Sipas tij, ekziston një historik i tërë veprimesh që dëshmojnë për vendosmërinë e mazhorancës për të mos lejuar një masë më të ashpër sigurie ndaj ish-ministres.

“Ishte e pritshme që Partia Socialiste do të votonte kundër heqjes së imunitetit të ish-zëvendëskryeministres, zonjës Belinda Balluku, me argumentin që ajo nuk mund të prish prova dhe nuk mund të ndikojë tek hetimi, pasi tashmë nuk ushtron asnjë funksion që kishte më parë ministror.

Vendimi padyshim ishte i pritshëm, edhe në komunikimet tona që kemi patur më herët, unë kam pohuar që nuk do të ketë asnjë surprizë në këtë drejtim, pasi Partia Socialiste dhe personalisht kryeministri Rama kanë patur një qëndrim të pandryshuar që në momentin kur mbërriti kërkesa e parë e prokurorisë apo vendimi i GJKKO-së për pezullimin nga detyra të zonjës Balluku.

Është një historik i tërë që dëshmon vendosmërinë e Partisë Socialiste në këtë drejtim, me padinë që u bënë Gjykatës Kushtetuese, me qëndrimin që u mbajt pasi Gjykata Kushtetuese nuk shprehu dot një vendim, por ishte ai vendimi pa vendim i famshëm.

Gjithçka tjetër më mbrapa ishte një gjë e qartë që do shkohej tek mosdhënia e autorizimit apo lejimit të prokurorisë për të ekzekutuar një arrestim të mundshëm të zonjës Balluku, pra për të ndryshuar masën e sigurisë që është vendosur ndaj saj, ai që është pengimi për të larguar, për të lëvizur jashtë, jashtë vendit. Kështu që, në këtë drejtim nuk kishte, nuk kishte asnjë surprizë”, u shpeh Kikia.

Ndiqni intervistën e plotë: