Trafik a*mësh nga Mali i Zi në Fresk/ Përgjimet i zbuluan, dalin FOTO të tre të rinjve. Njëri prej tyre postonte në rrjetet sociale me p*stoletën në brez (FOTO)

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me goditjen e grupit kriminal, ku u arrestuan dy persona për trafik armësh nga Mali i Zi.

Dy të arrestuarit, Donati Jaku dhe Florian Gjeta u kapën me 6 pistoleta që do i shisnin në zonën e Freskut në një grup kriminal me bazë në këtë zonë. 

Jaku dhe Gjeta, fillimisht dolën në disa përgjime të bëra më herët, ndërsa hetimi zbardhi të plotë dinamikën e trafikut. Florian Gjeta, nga Domja, dyshohet se prej vitesh e kryente aktivitetin e trafikut të armëve.

Më herët, Gjeta ka jetuar në Angli, vend ky dyshohet po ashtu ta ketë ushtruar të njëjtin aktivitet.

Gjeta gjithashtu nxirrte foto hapur në rrjete sociale me armë në brez. Hetuesit e Komisariatit nr. 4 dyshojnë edhe për persona të tjerë të përfshirë, të cilët po punojnë për verifikimin e plotë.

NJOFTIMI I POLICISE

Policia e Tiranës, goditi një grup kriminal të trafikimit dhe shitjeve të armëve të zjarrit.

Pas një hetimi dy mujor, në kuadër të operacionit të koduar “Rotondo”, u vunë në pranga shtetasit D. J., 31 vjeç, banues në Shkodër dhe F. Gj., 22 vjeç, banues në fshatin Domje.

Sipas policisë “automjeti që drejtonte 22-vjeçari dhe ku ishte pasagjer shtetasi D. J., u ndalua për kontrolle, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, në vendin e quajtur “Rrethi i Freskut”.

“Nga kontrollet në automjet, u gjetën 6 armë zjarri (pistoleta SigSauer) të dyshuara të trafikuara nga Mali i Zi, me qëllim shitjen në këtë zone”, njoftoi policia.

Policia bëri të ditur se armët e zjarrit u sekuestruan bashkë me automjetin tip “Volkswagen” që drejtonte shtetasi F. Gj., si dhe me 4 celularë.

Në vijim të hetimeve, sipas policisë, u identifikua dhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i dyshuar i të arrestuarve, shtetasi E. S.

Policia njoftoi më tej se vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, si dhe në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetime për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.