Vengu: Jemi gati për të nisur dëmshpërblimet për përmbytjet! 18 mln euro investime për infrastrukturën parandaluese
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu theksoi sot se po përgatitet një paketë për dëmet në bujqësi dhe blegtori nga përmbytjet e muajve të fundit.
Në një konferencë për shtyp lidhur me ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Armatosur, emergjencave civile dhe industrisë ushtarake 2026, Vengu tha se “siç është bërë praktikë e rregullt dhe në zbatim të parashikimeve ligjore Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka mbështetur Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe bashkitë nga dëmet sidomos në blegtori dhe bujqësi. Jemi tashmë gati që me Ministrinë e Financave të bëjmë gati një paketë kompenismi nga dëmet sidomos në bujqësi dhe blegtori”.
“Pjesën e pasojave të zjarreve dhe banesave e kemi ezauruar dhe fondet e kompensimeve janë alokuar dhe janë shpërndarë nga bashkitë”, tha Vengu.
Ministri Vengu u ndal edhe tek situata e reshjeve dhe masat e marra.
“Rreshjet intensive në nëntor të vitit të kaluar dhe në janar e shkurt krijuan problematika në shumicën e baseneve lumore dhe në disa nga zonat ujëmbledhëse në tërësi. Nën koordinimin e AKMC, Forcave të Armatosura dhe veçanërisht komanda mbështetëse e Emergjencave Civile dhe repartet xheniere kanë qenë të angazhuara në erren në vijimësi dhe vazhdojnë të jen në terren edhe në këto momente”, theksoi Vengu.
Vengu u shpreh se “është kryer edhe operacionet e kërkim-shpëtimit në Klos bashkë me Forcat e Kosovës dhe një mision që vijon ende në basenin e Osumit dhe kemi këtu një angazhim maksimal”.
Gjithashtu, shtoi ai, forcat xheneiere kanë qenë të angazhuara në të gjithë territorin për dy arsye për të hapur akset e bllokuara nga rrëshqitjet herë pas here në zonat rurale për të rehabilituar infrastrukturën kritike ura apo prita.
“Në këtë mënyrë jemi gjendur banorëve të zonave të prekura në mënyrë që të kemi sa më shumë siguri për ta, pavarësisht numrit të lartë të rrëshqitjeve që ka pasur në mbarë vendin përjashtuar”, tha Vengu.
18 mln euro investime për infrastrukturën parandaluese
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu në konferencën e sotme për shtyp u ndal edhe tek fondi i kushtëzuar për mbrojtjen civile duke theksuar se “kemi rritje të konsiderueshme disa herë edhe shumëfishim fondesh për 47 bashki”.
“Këtë vit e kemi konkluduar si proces më herët se vitet e tjera. Ky fond shpërndahet me një qasje të re për të forcuar ato bashki që konsiderohen më të dobëta, me më pak kapacitet financiar. Kemi një një shumëfishim për shumë bashki të cilat ndër vite nuk kanë pasur instrument financiar kjo i mundëson këtyre bashkive të kenë më shumë mundësi të mbështesin operacionet e emergjencave te tyre, të rrisin flotat dhe të kompensojnë dëmet, jo detyrimisht duke pritur të vijë një akt normativ apo mbështetje buxhetore nga qeveria herë pas here”, tha Vengu.
Ai u shpreh se kemi një rritje të fondit të investimeve për infrastrukturën parandaluese.
“Fondi i Investimeve këtë vit është 18 milionë euro, 8 milionë euro janë të dedikuara për projekte që janë në zbatim e sipër, që kanë filluar vitin e kaluar dhe kemi vazhduar t’i financojmë këtë vit, diga prita lumore, ura, riparime, rehabilitime infrastrukturash të dëmtuara”, tha Vengu.
Nga ana tjetër, vijoi Vengu, 10 milionë euro janë tërësisht për financim projektesh të reja në dispozicion të bashkive.
Sipas tij, këtë javë finalizohet edhe procesi i alokimit të tyre ku ka pasur shumë aplikime.
“Për efekt të shembjeve në aksin Librazhd-Përrenjas do të vazhdojmë të mbështesim pritat lumore përgjatë lumit Shkumbin. Një pjesë një e mirë e financimit shkon në këtë drejtim që të kemi mundësi të parandalojmë rrëshqitje apo dëmtimet nga gërryerjet lumore në të ardhmen”, tha Vengu.

