18 vjet burg kosovarit që vrau argjentinasen në Fushë-Kosovë
Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi Endrit Nikën me 18 vjet burg për vrasjen e partneres së tij, shtetase argjentinase, në Fushë-Kosovë, më 2023-shin. Vendimi u shpall sot nga trupi gjykues, siç raporton Betimi për Drejtësi, i specializuar për raportime në fushën e drejtësisë. Të pranishëm në seancë ishin i pandehuri dhe avokati i tij e mbrojtja e palës së dëmtuar.
Në maj të vitit 2025, Nika ishte deklaruar i pafajshëm mbi akuzën për vrasje.
Aktakuza ndaj tij u ngrit në shkurt të vitit 2025. Sipas Prokurorisë, më 1 gusht 2023, në një hotel në Fushë-Kosovë, pas një mosmarrëveshjeje paraprake me viktimën, e goditi dhe tentoi ta shtypte me makinë në parkingun e hotelit.
Me të hyrë në dhomën e hotelit, Nika me dashje që ta privojë nga jeta viktimën M.K-U., kishte vazhduar përleshjen dhe goditjet ndaj saj duke e dërguar në qoshen e dhomës, ku ajo nuk kishte pasur mundësi të largohej.
Sipas Prokurorisë, më pas e shtyu viktimën, e nxori në kornizën e dritares duke e hedhur nga dritarja e dhomës së hotelit që gjendej në kat të gjashtë. Për shkak të rrëzimit nga lartësia, viktima nuk iu mbijetoi plagëve.
Sipas të dhënave, në Kosovë, nga viti 2010 e deri më tani janë vrarë rreth 60 gra. Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna. Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, si edhe baballarët e djemtë.
