Zekolli: Korridori VIII, arterie që ndikon në zhvillimin ekonomik të rajonit
Zëvendësministrja e Transportit dhe Mobilitetit në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Kaltrina Zekolli tha se ndërtimi i Korridorit VIII sjellë më shumë zhvillim ekonomik në rajon.
Si pjesë e diskutimit të panelit III, “Dimensioni gjeopolitik i Korridorit VIII”, në ministerialin që po mbahet sot në Tiranë, Zekolli tha se “si qeveri jemi shumë të angazhuar në rezultate konkrete pozitive për ecurinë dhe zhvillimin e këtij projekti strategjik me përmasa gjeopolitike, i cili nuk është vetëm një rrugë, një hekurudhë, por një arterie e cila do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik, në bashkëpunimin e rajonit për ndërtimin e urave lidhëse në tërheqjen e investitorëve rajonalë dhe ata ndërkombëtarë”.
“Maqedonia e Veriut ka një pozicion shumë të mirë në këtë korridor, ndërtimi i të cilit do të sjellë vetëm zhvillim më të madh në të gjitha aspektet. Në Maqedoninë e Veriut janë bërë hapa shumë të mëdha në aspektin e ndërtimit të rrugëve duke punuar me intensitet të plotë, me mijëra makineri dhe në çdo segment po punohet edhe aktualisht”, tha Zekolli.
Sipas saj, “autostrada që lidh Maqedoninë me fqinjët po zhvillohet deri në Strugë, ndërsa në aspektin e hekurudhave, puna ka ecur para duke nënshkruar me fqinjin bullgar një marrëveshje ndërqeveritare për një tunel të përbashkët që do të jetë linjë e re hekurudhore”.
“Kjo ka kaluar dhe në Kuvend dhe tregon se infrastruktura që zhvillojmë në Maqedoni duhet të jetë në harmonizim me rrjetin evropian të zhvillimit, ku nuk ndërtojmë vetëm rrugë, por plotësojmë të gjitha standardet”, tha Zekolli.

