18 vjet Pavarësi/ Kosova feston në Romë miqësinë dhe të ardhmen evropiane, i pranishëm dhe Ambasadori Amerikan në Itali
Me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali organizoi në Romë një pritje solemne që mblodhi përfaqësues të lartë të trupit diplomatik, institucioneve italiane, botës akademike, kulturore dhe komunitetit shqiptar.
Prania e përfaqësuesit të SHBA-ve, një nga mbështetësit më të fuqishëm të pavarësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës, i dha një dimension të veçantë politik dhe diplomatik kësaj mbrëmjeje festive, e cila mblodhi përfaqësues të lartë të trupit diplomatik, institucioneve italiane, botës akademike dhe komunitetit shqiptar në Itali.
Në fjalimin e saj përshëndetës, Ambasadorja e Republikës së Kosovës theksoi simbolikën e 17 shkurtit 2008 si një datë që shënoi lindjen e një prej shteteve më të reja në botë, por edhe kurorëzimin e një rruge të gjatë sakrificash. Ajo nënvizoi se Kosova sot është një shtet sovran, i njohur nga 121 vende, që garanton barazi të të drejtave për të gjithë qytetarët e saj dhe synon anëtarësimin sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian.
Tetëmbëdhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova prezantohet si një vend në konsolidim institucional dhe demokratik. Në fjalën e Ambasadores Shala, u theksua zgjedhja e qeverisë së re të udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti , si një hap drejt stabilitetit dhe normalitetit politik. U përmendën përpjekjet për forcimin e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë, luftën kundër korrupsionit, promovimin e lirisë së medias dhe rritjen e vazhdueshme ekonomike.
Ambasadorja e përkufizoi Kosovën jo thjesht si territor, por si identitet, gjuhë dhe dinjitet të një populli që për dekada u përball me mohime e sakrifica. Liria, theksoi ajo, nuk është një e mirë e dhënë përgjithmonë, por një vlerë që kërkon angazhim dhe përkushtim të vazhdueshëm.
Italia një aleat strategjik dhe partner i afërt
Një pjesë e veçantë e fjalimit iu kushtua Italisë, e cila u cilësua si një nga aleatët më të rëndësishëm të Kosovës. Rreth 40 mijë qytetarë kosovarë që jetojnë dhe punojnë në Itali u përmendën si urë lidhëse mes dy vendeve.
U theksua avancimi i bashkëpunimit dypalësh në fusha si administrata publike, drejtësia, bujqësia dhe kultura, si dhe puna për Paktin e Miqësisë mes Prishtinës dhe Romës. Marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të patentave të drejtimit dhe ajo për eliminimin e tatimit të dyfishtë u paraqitën si hapa konkretë drejt thellimit të bashkëpunimit ekonomik. Po ashtu, u njoftua nisja e fluturimeve direkte Romë–Prishtinë në bashkëpunim me Aeroportet e Romës.
Në ceremoni morën pjesë personalitete të shumta nga trupi diplomatik, ndër ta Ambasadori i SHBA-së në Itali, Sh.T. Tilman J. Fertitta; Ambasadori i BE-së pranë Selisë së Shenjtë dhe FAO-s, Sh.T. Martin Selmayr; si dhe ambasadorë nga Finlanda, Estonia, Austria, Turqia, Kolumbia, Omani, Emiratet e Bashkuara Arabe, Malajzia e shumë vende të tjera mike të Kosovës.
Nga institucionet italiane ishin të pranishëm Presidenti i Gjykatës Kushtetuese, Prof. Giovanni Amoroso, Komandanti i Përgjithshëm i Arma dei Carabinieri, Gjeneral Salvatore Luongo, Ish-Komandanti i Misionit KFOR, Gjeneral Angelo Michelr Ristuccia si dhe përfaqësues të Presidencës së Këshillit të Ministrave, Senatit dhe Dhomës së Deputetëve të Italisë.
Po ashtu, morën pjesë drejtues të institucioneve të rëndësishme si Policia e Shtetit, Guardia di Finanza, Poste Italiane, Prokuroria Ushtarake dhe Gjykata e Kasacionit, si dhe figura nga bota akademike, përfshirë Rektoren e UNINT-it, Prof. Mariagrazia Russo, përfaqësues të organizatave jofitimprurëse dhe komunitetit arbëresh.
Në përmbyllje të mbrëmjes, të ftuarit shijuan një repertor këngësh kosovare të interpretuara nga këngëtarja Kestrina Kallaba, ndërsa u theksua pjesëmarrja e Kosovës me pavijonin e saj në Bienalen e Venecias, si dhe organizimi i Festivalit të Filmit Kosovar në Arbëri.
Ambasadorja ftoi të pranishmit të vizitojnë Kosovën – një vend që përveç bukurive natyrore dhe mikpritjes, ka shkëlqyer edhe në arenën sportive, veçanërisht në xhudo me medalje të arta ndërkombëtare.
Pritja në Romë nuk ishte vetëm një përkujtim solemn i një date historike, por një dëshmi e rrugëtimit të Kosovës drejt konsolidimit shtetëror, integrimit evropian dhe forcimit të miqësive ndërkombëtare.
“Ngrini gotat për Republikën e Kosovës. Rroftë Kosova dhe rroftë miqësia mes Kosovës dhe Italisë”, ishte mesazhi përmbyllës i mbrëmjes nga Ambasadorja Shala, e që simbolizoi jo vetëm 18 vite pavarësi, por edhe besimin në një të ardhme të përbashkët evropiane.
