Hoxha: Korridori VIII, simbol integrimi dhe zhvillimi ekonomik në Ballkan
Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në Maqedoninë e Veriut, Muhamet Hoxha deklaroi sot gjatë punimeve në Tiranë të forumit ekonomik në kuadër të Ministerialit Korridori VIII, se ky projekt është me rëndësi strategjike për kohën dhe rajonin tonë.
“Korridori VIII është një arterie e rëndësishme që lidh Adriatikun me Detin e Zi duke bashkuar ekonomitë, njerëzit dhe perspektivat e vendeve tona të rajonit. Ky korridor nuk është thjesht një rrugë apo linjë hekurudhore, ai është një simbol i integrimit, zhvillimit të një rajoni më të sigurt, i cili do të ecë përpara drejt zhvillimit ekonomik”, tha Hoxha.
Hoxha nënvizoi se “zhvillimi i Korridorit VIII hap horizonte të reja për ekonominë e vendeve tona të rajonit, sjell përmirësim të infrastrukturës që do të thotë ulje e kostove të transportit, rritje e efikasitetit dhe konkurrencës më të madhe në biznesin e vendeve tona”.
“Kjo do të thotë më shumë investime dhe logjistikë moderne dhe më shumë vende pune për të gjithë qytetarët që jetojnë në vendet tona. Ekonomia nuk zhvillohet në izolim, ajo ka nevojë për lidhje, për qarkullim të lirë të mallrave dhe ideve dhe Korridori VIII e bën këtë realitet”, deklaroi Hoxha.
“Ku projekt forcon lidhet mes vendeve tona dhe krijon një rrjet më të fortë bashkëpunimi rajonal. Ai afron qytetet tona duke shkurtuar kohën, duke i bërë ato më të afërta për biznes, turizëm dhe bashkëpunim kulturor. Lëvizshmëria nuk është vetëm fizike, ajo është edhe politike, ekonomike dhe shoqërore, sa më të lidhur të jemi aq më të fortë bëhemi”, theksoi ai.
Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në Maqedoninë e Veriut theksoi se “Korridori VIII është një hap konkret drejt integrimit evropian dhe drejt një rajoni më të qëndrueshëm dhe bashkëpunues mes gjithë vendeve që janë në rajon. Por, zhvillimi nuk mund të vijë në kurriz të natyrës”.
“Ne të gjithë kemi përgjegjësi që çdo projekt infrastrukturor të respektojë standardet më të larta të mbrojtjes së mjedisit. Investimi në hekurudha është një hap drejt transportit më të pasur dhe reduktimit të emetimeve, planifikimit më modern, që duhet të minimizojë ndikimin në biodiversitet dhe zonat e mbrojtura”, tha Hoxha.

